Gjykata e Apelit në Durrës ka mbajtur në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin turk, Faruk Fatih Ozer i cili ka kryer mashtrime me kriptomonedhat.
Apeli ka refuzuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje”.
Në seancë, avokati i turkut deklaroi se masa duhet të ndryshohet, pasi vendimi i Gjykatës në Shkallën e Parë nuk arsyetohet.
Sipas avokatit, referuar materialeve të ardhura nga autoritetet turke, nuk ka vendim për aktivitete kriminal të tij në Turqi.
Disa ditë më parë, Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë ”arrest me burg” për Faruk Fatih Ozer, i cili u arrestua më 30 gusht pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim që prej një viti nga Turqia.
Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia me 2 miliardë dollarë, të cilat i kishte fituar duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”. Ai kishte mashtruar rreth 360 mijë përdorues të kompanisë së tij “Thodex”.
Prokuroria turke ka mbyllur në prill të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të bosit të kompanisë së kriptomonedhave “Thodex”, Faruk Fatih Ozer, duke e çuar atë në gjykatë. Ozer dhe tre bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi duke futur në të dhjetëra mijëra turq që menduan të investonin në kriptomonedha përmes kësaj platforme.