Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetet perëndimore duhet të alarmohen nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për koordinimin e politikave të Jashtme mes Rusisë dhe Serbisë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë sesionit të 77-të të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov.
“Përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqen nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviçit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me Federatën Ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha Kurti për mediat në Kosovë.
Serbia zyrtarisht mban një status neutral sa i përket aleancave ushtarake, por në disa raste ka marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me NATO-n dhe me Rusinë.
Vendi kandidat për në BE nuk ka pranuar t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, të vendosura si masa kundër pushtimit të Ukrainës. Por nga ana tjetër, Serbia nuk ka mbështetur aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Rusia.