Kryesore Rama dënon Rusinë nga OKB: Agresion mizor në Ukrainë

Rama dënon Rusinë nga OKB: Agresion mizor në Ukrainë

Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe tha se vendi ynë nuk do të njohë referendumet që po mbahen në Donbas.

“Për fat të keq këtë vit shpresat e besimet janë cenuar, nga një luftë e paprovokuar, e pajustifikuar dhe e paramenduar. Agresioni mizor i Rusisë kundër Ukrainës. Lufta është jo vetëm kundër Ukrainës, por një sulm brutal kundër së drejtës ndërkombëtare, një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj arkitekturës së sigurisë europiane”, tha Rama.

“Udhëhequr nga deliri i madhështisë, Rusia ka vendosur të zvarrisë botën pas dhe të shkojë kundër gjithçkaje që kemi ndërtuar. Kjo është e papranueshme. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës. Lufta e tyre është edhe e jona dhe shpresoj edhe e të gjithë vendeve që ndajnë të njëjtat parime. Ndërkohë që bota pret që Rusia t’i thërrasë arsyes, Kremlini bëri një zgjedhje tjetër, të përshkallëzimit, duke shpallur mobilizim të pjesshëm që do të shkaktojë edhe më shumë dhimbje, por që edhe do ta dëmtojë më shumë Rusinë. Referendume farse po mbahen në territoret e Ukrainës të pushtuara. Ato shkojnë kundër të drejtës ndërkombëtare dhe nuk reflektojnë vullnetin e lirë të popullit të Ukrainës. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk i njohim”.