Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali, ka në dorë prova të rëndësishme që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve. Në makinën e përdorur për krimin janë gjetur dy armë zjarri automatike të modifikuara dhe dy maska, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. “Panorama” raporton se aktualisht, këto prova po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës për gjurmë gishtash dhe profile gjenetike, në mënyrë që të krahasohen fillimisht në sistemin e të dhënave të Policisë Kriminale.
Automjeti tip “Mercedez Benz SLS”, me ngjyrë blu të errët, u gjet në afërsi të Mjull Bathores. Pas verifikimeve rezultoi se bëhej fjalë për të njëjtën makinë, me targat AA 757 RV, të vjedhur dy vite më parë nga një “Fiat Punto” në Vlorë, që ishte përdorur në krim. Nga verifikimi i numrit të shasisë së këtij automjeti rezultoi se ishte vjedhur pak kohë më parë në Kosovë.
Nga këqyrja në brendësinë e saj, ekspertët kanë fiksuar prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Por më të rëndësishmet janë armët që u gjetën në makinë, dy automatikë, armë me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja. Ish-polici Arben Bilali dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Në dosjen e Prokurorisë renditen të gjitha indiciet, provat dhe dëshmitë që e kanë çuar grupin hetimor drejt kësaj piste.
Para se të mbetej i vrarë në atentat mesditën e së mërkurës, Arben Bilali kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij, shtetasit me iniciale A.Ç. Ky i fundit është marrë në pyetje si dëshmitar i ngjarjes dhe ka shpjeguar se si 50- vjeçari u vra sapo zbriti nga makina e tij tip “Golf 4”.
Sipas materialit të referuar në Prokurori, A.Ç. ka deklaruar se bashkë me Arben Bilalin ka shkuar për të dërguar makinën në servis, pasi kishte një defekt dhe në momentin që janë kthyer, ka ndodhur sulmi i menjëhershëm me armë. Siç shihet edhe në pamjet e fokusuara nga një kamerë sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4” ku 50- vjeçari ishte si pasagjer është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz CLS”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda.
Në këtë kohë Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij.
Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar.