Kryesore A po kërkon rikthimin në shtëpi?!

A po kërkon rikthimin në shtëpi?!

Ish-Presidenti Bujar Nishani, njëherësh ish-ministër i Brendshëm në qeverisjen e PD, thotë se tashmë ka ardhur koha për një platformë të re angazhimi brenda Partisë Demokratike.

Ai tashmë duket se po rikthehet “me kohë të plotë” në partinë që i besoi postet më të larta. Angazhimi i tij i kohëve të fundit të lë përshtypjen e një rikthimi të tij në strukturat më të larta të PD.

Teksa ka komentuar situatën brenda kësaj force politike, Nishani thotë se duhet të rimblidhen kontributet e çdo demokrati që ka qenë pjesë e PD që nga themelimi i saj.

Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, Nishani shprehet se çdo parti politike që pretendon të marrë pushtetin dhe të jetësojë një program dhe alternativë të re, duhet të vlerësojë të gjitha energjitë e mbështetësve të saj.

“Unë mendoj se opozita e sotme ka ardhur duke e rritur profilin e saj. Çdo parti që pretendon të marrë pushtetin dhe të jetësojë një program dhe alternativë tjetër ka shumë gjëra për të bërë. Në radhë të parë sot në PD duhet që të rimblidhen ribashkohen forcat energjitë, kontributet, jo qindra, por mijëra resurse njerëzore, të cilët që nga viti t92 kur PD u shfaq në jetën politike shqiptare, njerëz të angazhuar në politike, deputetë, ish deputete, ish-ministra, teknikë, mbështetës, etj; të gjithë këta duhet të jenë pjesë e një platforme angazhimi. Për secilin duhet ofruar, nxitur dhe i duhet lutur, për një angazhim të ri.

Së dyti ka nevojë që të vihet në lëvizje kjo dinamikë që ka ardhur në rritje sidomos pas zgjedhjeve të fundit, të cilët janë të deligjitimuara, të rrëzuara, se nuk kanë qenë as të lira as të ndershme, të manipuluara nga përdorimi i parave të drogës”, u shpreh Nishani.

Sakaq, ai ka bërë edhe një krahasim sa i takon kontributeve dhe të metave mes dy partive PD dhe PS, ndërsa këtë të fundit e cilëson si parti me histori 75-vjeçare.

“PD krahasuar me alternanten e saj është një forcë e re politike. PD është një parti 25-vjeçare, krahasuar me PS që ka një histori 75-vjeçare. Kontributet që ka sjellë PD krahasuar me atë që ka sjellë 75-vjeçarja socialiste, janë shumë më të mëdha. Dëmet që ka sjellë me mos përmbushjen e asaj që ka bërë, krahasuar me atë që ka bërë PS 75 –vjeçare, janë më të mëdha. Por këto nuk mjaftojnë për të nxjerrë konkluzione”, tha Nishani.