Kryeministri Edi Rama ishte këtë fundjavë në Dibër, nga ku ka vijuar turin e takimeve paraelektorale. Por mikpritja e rezervuar për të nuk kishte qenë në gustot e kryeministrit në këtë kohë krize energjie.
“Kapllani i kishte lënë ndez gjithë andej. I kemi ndezur për ty, tha. Po të kishte çmimin real Kapllani do kishte mbyll edhe perdet për mu se do i dukej edhe drita e diellit që e paguan për mua”, tha Rama.
Gjatë takimit me përfaqësues të operatorëve turistik të zonës kreu i qeverisë u ndal tek çmimi i energjisë duke rinënvizuar se situata në hidrocentrale nuk është më e mira e mundshme.
“Të dal pak këtu në diell se është pak si freskët. Më vjen keq që unë nuk i gëzohem dot këtij dielli sepse unë dua shi, sepse nëse nuk kemi shi, kemi atë hallin e madh të çmimit të energjisë elektrike”.
Si një nga zgjidhet më të mira për të përballuar krizat në të ardhmen është hidrocentrali i Skavicës, për të cilën Edi Rama u shpreh se nuk ka hapa pas.
Dibra është një nga qarqet me emigrimin më të madhe të të rinjve që për Ramën është e kuptueshme, por jo e pranueshme. Sipas kryeministrit, një shtëpi e rrënuar në Dibër mund të të sjellë pesëfishin e parave që një i ri mund të marrë në emigracion.
“Për ata që kanë një shtëpi të vjetër, sado të rrënuar në fshat, apo një tokë në fshat është një mundësi reale për ta kthyer në një pasuri dhe për ta kthyer për të fituar dyfishin trefishin, pesëfishin e asaj që fitohet me punë atje, të punosh për dikë tjetër atje”.
Ndonëse tha se nuk donte të përmendte kundërshtarët politikë, takimin e mbylli duke dhënë një premtim: “Ne këtu jemi, do vazhdojmë punën dhe taksirati jonë t’i mundim edhe njëherë mirë”.