Më 24 janar 1822 u vra “Luani i Epirit”, Ali Pashë Tepelena.
Asgjësimi i tij u urdhërua prej Sulltanit, i cili i druhej orvatjeve të Ali Pashës për krijimin e një territori të pavarur nga Porta e Lartë.
Në kopjen e dënimit me vdekje (jafta), që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell, grafikisht të realizuar si një pikë loti, Sulltan Mahmudi II kërkonte që koka e Aliut të shpihej në Stamboll, siç edhe ndodhi.
Nën sundimin e Ali Pashës për 40 vjet rresht (1788-1822) në Pashallëkun e Janinës, u shënuan përparime në fushën e ekonomisë, të politikës së jashtme dhe të asaj të brendshme, në konsolidimin e strukturave shtetërore, ushtarake, policore, e po ashtu u korrën fryte edhe në lëmin e arsimit dhe të kulturës.
Në mënyrë të veçantë, u zhvillua hovshëm infrastruktura me objekte me karakter e funksion social-kulturor (biblioteka dhe shkolla), fetar (kisha, xhami, teqe, manastire etj), si edhe ushtarak (akademi ushtarake).