Politika Inceneratorët, Kryemadhi pas dëshmisë në SPAK: E kam lënë në dorë të...

Inceneratorët, Kryemadhi pas dëshmisë në SPAK: E kam lënë në dorë të Zotit

Çështja e inceneratorëve ka mbetur në dorë të Zotit. Kështu u shpreh deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, pas daljes nga SPAK, teksa njoftoi se do të dorëzojë edhe dokumente të tjera për hetimin.

Në një deklaratë për mediat, pas dëshmisë së dhënë në organin e akuzës, Kryemadhi theksoi se nga hetimi po zbardhen gjithnjë e më shumë detaje dhe sipas saj momentet e fundit janë duke ardhur.

“Gjërat po zbardhen gjithnjë e më shumë, më e pakta që mund të bëhet është ndalimi i pagesave për inceneratorët. Shtova dhe do të dorëzoj edhe dokumentet e tjera për rihapjen e venddepozitimit të vjetër të Sharrës që njihet si vendi ku ka vdekur Ardi Gjoklaj. Kam kërkuar vetëm diferencim dhe riciklim që nuk ndodh, por vetëm groposet. Në korrik 2022, kjo gropë që duhej mbushur për 30 vjet duhet të ishte rimbushur. Është një punë e gjatë dhe e vështirë. Besoj që gjërat do të realizohen momentet e fundit, janë duke ardhur dhe shpresoj që drejtësia të triumfojë për shqiptarët që paguajnë 29 euro për tonë”.

E pyetur për hetimin e zyrtarëve të lartë ajo u përgjigj: “Inceneratori i Tiranës një nga problemet ligjore që ka si për Engjëll Agaçin dhe Lefter Kokën është mbështetja financiare që i është dhënë një projekti. Ne vazhdojmë të paguajmë para edhe pse nuk ka incenerator. Mbështetja që jepet nga qeveria, janë të gjitha procese që mbledhin të gjithë zinxhirin e funksionimit. Pastaj se cili është roli i Lefter Kokës, apo i Veliajt është çështje tjetër. Unë e them që Inceneratori i Tiranës është skenë krimi. Unë do të vazhdoj edhe me publikimin e videove të tjera”.