Kryeministri Rama ka prezantuar kandidatin Tonin Marinaj në bashkinë e Malësisë së Madhe në Shkodër, për zgjedhjet e 14 majit.
Rama, duke iu referuar kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, tha se ai po bën dallime fetare në Malësinë e Madhe dhe kjo është arsyeja pse ai nuk duhet votuar.
“Dëgjova se këtu ka një kandidat që i fryn përçarjes fetare. Vetëm për këtë arsye atij nuk i duhet më dhënë asnjë votë. Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të mëdha të historisë sonë, figura të mëdha të komunitetit katolik e mysliman por nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare. Përkundrazi, prej tyre kemi mësuar se shqiptarët janë një dhe katolikët e myslimanët.
Unë jam katolik, gruaja myslimane, 2 fëmijët nga martesat e para janë ortodoks dhe i vogli do e vendosi vetë. Nuk ka poshtërsi më të madhe se sa të flasësh shqip dhe t’u thuash njerëzve ndahuni në myslimanë dhe katolikë. Myslimanët në radhë të parë do t’i thonë ‘shko për dreq’, s’ke asnjë kokërr vote nga ne”, tha Rama.