Ishte 3 Maji i vitit 2007 kur jeta e çiftit Kate dhe Gerry McCann do të ndryshonte përgjithmonë. Ata shkuan me pushime së bashku me 3 fëmijët e tyre Madeleine, Amelie dhe Sean dhe disa miq të tyre në një resort turistik në Portugali.
Në mbrëmjet që pasuan, çifti britanik darkonte me miqtë e tyre në një restorant 50 metra larg nga vendi ku qëndronin. Familjet e bënin me radhë që të shkonin dhe të kontrollonin fëmijët e tyre gjatë gjithë natës.
Në një nga këto net, fëmijët vendosen në gjumë, por dera e tyre u la e hapur nga Kate dhe Garry. Pasi kthehet nga darka Garry vëren se pozicioni i derës së dhomës së gjumit është i ndryshëm nga netët e tjera.
Ai hyn në dhomë dhe sheh të tre fëmijët e tij duke fjetur qetësisht. Ai rikthehet në restorant, por ndalon për një bisedë me dikë gjatë rrugës. Kate mbaron së ngrëni dhe kthehet në dhomë. Ajo vëren se dera e dhomës së gjumit të fëmijëve është mjaft e hapur por ndërsa shkon ta mbyllë pak, një erë e përplas atë. Ajo shikon që dritarja është e hapur dhe grilat janë ngritur ndërsa vajza 3-vjeçare Medeline mungon. Prindërit japin alarmin për zhdukjen e saj dhe lajmërojnë policinë.
“Ne kërkojmë që kushdo që mund të ketë informacion në lidhje me zhdukjen e Madeleine, sado i parëndësishëm, të kontaktojë policinë portugeze dhe të na ndihmojë ta kthejmë atë në mënyrë të sigur. Ju lutem, lëreni të kthehet në shtëpi te mamaja, babi, vëllai dhe motra e saj”.
Policia kufitare dhe stafi i aeroportit u vunë në gatishmëri dhe qindra vullnetarë iu bashkuan përpjekjeve për të gjetur vajzën e zhdukur gjatë ditëve në vijim, rasti u bë shpejt një sensacion.
Pyetja se çfarë i ndodhi Madeleine McCann-it është një pyetje që ka përndjekur familjen e saj, detektivët dhe botën mbarë për më shumë se 15 vjet. Fatkeqësisht, është gjithashtu një pyetje që ka mbetur pa përgjigje.
Më 5 Maj të vitit 2007, policia portugeze zbuloi se besonte se Madeleine ishte rrëmbyer nga dhoma e saj dhe mund të ishte ende gjallë diku në Portugali.
Policia mori në pyetje një të dyshuar dhe kontrolloi gjithashtu shtëpinë e tij, por kur nuk u gjet asnjë provë që e lidhte atë me Madeleine, kjo pistë shpjet do të binte.
Në Qershor 2007, një polic portugez pranoi se provat jetike që mund të kishin ndihmuar në gjetjen e Madeleine mund të kishin humbur pasi skena e ngjarjes nuk ishte ruajtur siç duhet.
Pikërisht 100 ditë pas zhdukjes së Madeleine, detektivët portugez pranuan për herë të parë se 3-vjeçarja mund të mos gjendej e gjallë.
Më pas, pothuajse një vit më vonë, në Korrik 2008, pa përgjigje apo pista të reja për të shpjeguar se çfarë ndodhi me fëmijën më të madh të Kate dhe Gerry, policia portugeze e la në sirtar çështjen.
Pas thirrjeve të dëshpëruara të familjes, Scotland Yard ra dakord të shqyrtonte çështjen me kërkesën e Sekretares së atëhershme të Brendshme Theresa May në 2011.
Në po këtë vit, saktësisht katër vjet pas zhdukjes së vajzës së tyre, McCanns publikuan një libër të titulluar Madeleine. Libri e vendosi historinë përsëri në qendrën e vëmendjes dhe bëri që kryeministri i atëhershëm David Cameron të kërkonte nga autoritet të shqyrtonin rastin.
Në vitin 2012, policia britanike zbuloi se ata besonin se Madeleine mund të ishte ende gjallë. Ata zbuluan edhe këtë imazh të saj se si do të dukej ajo në moshën nëntë vjeçare. Në Tetor 2016, ekipi i policëve që hetonte rastin u shkurtua nga 29 në vetëm katër oficerë policie.
Por operacioni ende vijonte dhe në vitin 2020, policia zbuloi se një pedofil gjerman aktualisht në burg si të dyshuarin kryesor, Christen Buckner. Policia në Gjermani vazhdon të pretendojë se ka “prova konkrete” se Madeleine ka vdekur, por kjo ende nuk është konfirmuar dhe hetimi i tyre është në vazhdim, me Brueckner të dyshuar si të përfshirë në çështjen McCann.
I dyshuari thuhet se u pa pranë zonës ku vajza e vogël u zhduk. Ai ka marrë një telefonatë më 3 Maj 2007 rreth një orë para se të zhdukej 3-vjeçarja.
Ai besohet të ketë banuar në Portugali midis 1995 dhe 2007 dhe kaloi kohë duke jetuar në furgonin e tij atje jo shumë larg vendpushimit të Praia da Luz. Tashmë në burg në Gjermani për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje 72-vjeçare, ai tani është akuzuar edhe për vepra të shumta seksuale, të cilat dyshohet se kanë ndodhur midis viteve 2000 dhe 2007. Polica gjermane nisi së fundmi sërish kërkimet në Portugali e ndihmuar nga autoritet portugeze dhe britanike.
“Prokuroria dhe policia gjermane kanë një të dyshuar, ata kanë disa informacione që nuk po i ndajnë me publikun e gjerë dhe që sigurisht është gjëja e duhur. Duke pasur parasysh që policia portugeze po e mbështet dhe lehtëson këtë kërkim, mendoj se kemi arsye të shpresojmë dyfish. E para është se policia gjermane po vazhdon me ritme, po vazhdon të investojë burime. Dhe e dyta, në këtë fazë duhet të ketë një përparim pra që Kate dhe Gerry, por edhe pjesa tjetër e botës të zbulojë se çfarë ndodhi me Madeline McCann”.
Jim Gamble, një ish-detektiv i cili hetoi rastin thotë se ka shumë arsye për të qenë optimist se kjo çështje ndoshta më në fund mund të zbardhet.
“Unë kurrë nuk kam thënë nëse Madeline është gjallë apo e pajetë, por prokurori gjerman duket shumë i bindur se ajo në fakt ka vdekur, gjë që është çfarë më bën të mendoj se ata kanë informacione dhe informacione të besueshme që nuk i kanë ndarë me publikun. Dhe kjo është arsyeja pse çdo gjë që ata bëjnë në lidhje me këtë të dyshuar është shumë interesante dhe potencialisht pozitive”.
Edhe turistët në vendpushimin Praia da Luz shpresojnë që kërkimi i ri do të mbyllë çështjen e pazgjidhur.
“Shpresoj që ata ta gjejnë atë, por nuk e di. Kanë kaluar 16 vjet. Shumë gjëra mund të ndodhin në 16 vjet, por shpresoj se ata do të gjejnë diçka, gjithashtu që prindërit të gjejnë paqe.”