Një shtrëngim duarsh, disa replika për situatën e tensionuar që shënjoi mbledhjen e Kryesisë ku 29 korriku u vendos si data për zgjedhjet e kreut të ri të PD dhe e më pas një diskutim “kokë më kokë” me dyer të mbyllura.
Kjo ishte panorama e shkurtër ballafaqimit të Lulzim Bashës me Saimir Korreshin dhe Dashnor Sulën në Kuvend, pas mbledhjes ku militantë të tij tentuan të godasin dy deputetët në fjalë dhe kreun e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Ish-kryetari i PD në një video shihet se në momentin që ka mbërritur në sallën e Kuvendit ka shtrënguar duart me Sulën dhe Korreshin.
Pasi shkëmbejnë një bisedë të shkurtër me Bashën dy deputetët shihen të largohen njëri pas tjetrit dhe ish-kreu i PD komunikon për disa sekonda me deputeten Andia Ulliri.
Më pas edhe Basha largohet dhe është fotografuar në një nga zyrat e Kuvendit duke biseduar rreth situatës së tensionuar me Sulën dhe Korreshin, në një takim ku i pranishëm ishte dhe deputeti Arbi Agalliu.