“Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë”.
Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektiva dhe Perspektiva”, që u zhvilluar këtë të premte në Dubrovnik.
Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët e djathtë që besojnë në “botën serbe” dhe e shikojnë atë të lidhur me botën ruse”.
Lidhur me trazirat e fundit të majit, ku dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën nga protestuesit serbë pas vendosjes së kryekomunarëve shqiptarë në 4 godinat e komunave, Kurti tha se “këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviçin apo Putinin”.
Teksa SHBA-ja dhe BE-ja ashpërsuan tonet duke i bërë thirrje Kurtit këtë javë që të largojë katër kryekomunarët nga detyra dhe njësitë speciale të policisë, kryeministri kosovar nënvizon se Veriut “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje“.
Sipas N1, ai shtoi se Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë vetëm nëse ekstremistët e dhunshëm ndalojnë trazirat.
“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, është shprehur Kurti.
Kosova dhe Serbia ranë dakord në mars për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila de facto do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb Aleksandër Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë atë.
“Është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti.