Sport La futbollin për dëshmitarët e Jehovait, historia e rrallë e ish-talentit që...

La futbollin për dëshmitarët e Jehovait, historia e rrallë e ish-talentit që e cilësonin si pasardhësin e George Best

Peter Knowles ishte një nga talentet e mëdha të futbollit anglez në vitet ’60 dhe një nga lojtarët kryesorë të Wolverhampton (61 gola në 174 ndeshje). Ekspertët e cilësonin si pasardhësin e të madhit George Best.

Por, pas një ndeshjeje ndaj Nottingham Forest, të luajtur në 6 shtator 1969, kur ishte vetëm 23 vjeç, Peter vendosi të tërhiqej nga futbolli për t’iu përkushtuar me mish e me shpirt dëshmitarëve të Jehovait.

Ish-futbollisti tregon për “The Sun” se u bashkua me dëshmitarët e Jehovait kur luajti i huazuar te Kansas City, në SHBA, për dy vite.

“Unë isha ateist, nuk besoja në Zot. Isha i lumtur që isha futbollist profesionist dhe që luaja me Wolves. Isha edhe i zoti në futboll. Një ditë, dëshmitarët e Jehovait më trokitën në derë. Meqë më dolën në shteg, i pyeta pse babai dhe dy motrat e mia vdiqën, edhe pse nuk kishin bërë gjë të keqe. Ata iu përgjigjën pyetjes sime. Iu përgjigjën edhe disa pyetjeve të tjera për të cilat unë nuk kisha marrë përgjigje deri atë ditë. Kështu u bëra edhe unë dëshmitar Jehovai”, kujton Knowles.

Pas kësaj bisede, anglezi u kthye në vendlindje për të vijuar karrierën me Wolves, ekip me të cilin shënoi në 3 ndeshjet e para pas rikthimit. Emri i tij po përflitej edhe për t’u grumbulluar në Botërorin e vitit 1970. Por, papritur ai vendosi që të tërhiqej.

“Nëse nuk do të kisha njohur ata dy dëshmitarë Jehovai, do të vazhdoja të luaja futboll, por i dëgjova dhe mendova se gjërat që më thanë, kishin shumë kuptim. Është vendimi më i mirë që kam marrë në jetën time. Kurrë nuk jam penduar”, thekson 77-vjeçari.

Ai kujton se sa u mërzit nëna e tij për rrugën e re që mori në jetë: “Ajo u mërzit shumë me mua, ndërkohë që shokët mendonin që unë do të kthehesha në futboll brenda 6 muajve. Wolverhampton, përgjatë një viti, më bënte gati rrobat dhe këpucët. Për 10 vite radhazi më dërgonte kontratën për ta firmosur, derisa mbusha 36 vjeç. Ishin të bindur që një ditë do të firmosja dhe do kthehesha të luaja për ta”.

Por, pse e la futbollin Peter Knowles kur u bë dëshmitar Jehovai? “Bibla thotë se njerëzit janë krijuar të gjithë njësoj. Por, kur unë zbrisja në fushë, kishte ndryshim. Njerëzit më adhuronin, më kishin idhull. Më trajtonin ndryshe nga një njeri i zakonshëm. Atëherë, mendova se nuk mund të isha edhe futbollist, edhe dëshmitar i Jehovait. Duhej të hiqja dorë nga njëra”, tregon Knowles, i cili pasi la futbollin nisi punë si shitës, pastrues dritaresh dhe në një magazinë të Marks & Spencer, derisa doli në pension në vitin 2010.