Në Konferencën “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me bilancin e 3 muajve të parë të këtij viti sa i takon vizitorëve të huaj në vend. 65% më shumë turistë, krahasuar me një vit më parë.
“Më vjen mirë që sot jemi mbledhur me të gjitha nivelet institucionale të vendit dhe përfaqësuesit e industrisë së turizmit për të vendosur disa pika mbi “i” lidhur me sezonin turistik, ose më saktë me pikun sepse tanimë nuk kemi një Shqipëri të ndarë në një periudhë me ose pa turizëm. E ka të shtrirë në 365 ditë aktivitetin që lidhet me turizmin. Në periudhën e parë të vitit jemi përballur me një rritje befasuese të numrit të vizitorëve të huaj, i cili në Janar-Shkurt dhe Mars të mbledhura sëbashku është 65% më i lartë. Në Mars 2024, 90% më shumë turistë se Marsin e vitit të kaluar. Një zhvillim shumë i shpejtë dhe rritje e numrit të turistëve që zhgënjen të gjitha pritshmëritë më optimiste, pra që është më e lartë se këto të fundit. Në një takim me operatorë turistikë në Durrës, ata shpreheshin të kënaqur që shifra e vizitorëve kishte arritur në 5 mln, dhe u thashë mos u çuditni kur pas 5 vitesh të shkojë në 10 mln”.
Nisur nga situata aktuale, pritshmëritë në këtë sektor sa vijnë e shtohen.
“Nëse i kthehem objektivit tonë shumë ambicioz për të pasur 20 mln turistë në 2030-ën, kam frikë se do gaboja pasi do na duhet të shohim këtë vit, dhe vitin e ardhshëm për të pasur më shumë siguri për projeksionin. Nuk është absolutisht marrëzi të mendosh që shifra e 20 mln turistëve do të arrihet shumë më përpara, dhe në 2030-ën, kërkesa mund të arrijë deri në 30 mln. Por kur flasim për rritjen e kërkesës, nuk duhet të harrojmë ofertën, çfarë ne ofrojmë sot dhe vit pas viti që oferta t’i përgjigjet rritjes dhe natyrës së kërkesës. Këtu vijmë te arsyeja e këtij takimi dhe nevoja për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që bëjmë ne të gjithë në të gjitha shkallët e institucioneve dhe të gjithë ndërveprimin e sektorit privat, për të garantuar që kjo kërkesë të mos goditet nga mungesa apo cilësia e ulët e ofertës. Duhet të jemi shumë të shqetësuar për këtë rrezik.”
Ai shtoi se Shqipëria ka marrë 4.2 miliardë euro prej turizmit në 2023-in.
“Është një para, që pa prekur asnjë cent shkon te familjet. Ne kemi qenë liberalë dhe tërësisht të vetëdijshëm se nuk është ky momenti për t’i ngacmuar familjet me taksa për këtë pjesë. Por, këto janë të ardhura të jashtëzakonshme. Një pjesë e këtyre të ardhurave kanë influencuar pagat e industrisë”.
Rama nuk ngurroi të përshkruajë e rendisë bukuritë natyrore të vendit tonë. Ripërsëriti shprehjen e tij se “kur Zoti krijoi Shqipërinë ishte pushim”, por nuk tha të njëjtën gjë për shqiptarët.
Shqiptarët janë të jashtëzakonshëm si individë, theksoi ai, por kjo nuk vlen kur bëhen bashkë…
“Prandaj unë them gjithmonë që kur Zoti kur bëri Shqipërinë, e bëri ditën e diel kur ishte pushim. Dhe në 28 mijë km2 ka futur çdo gjë. Dy dete, 9 lumenj, male, lugina fantastike, pasuri nëntokësore, çdo gjë të mundshme dhe të imagjinueshme për ta pasur në një distancë shumë të shkurtër, zoti e ka futur në hartën e Shqipërisë. Nuk e di në çfarë dite dhe në çfarë intensiteti pune ishte kur bëri shqiptarët, por kur bëri Shqipërinë ishte e Dielë dhe kishte pushim. Kur bëri shqiptarët ka qenë shumë i zënë me siguri, dhe në një moment stresi ka nxjerrë shqiptarët. Dhe nga ai moment stresi, shqiptarët dolën aq sa të jashtëzakonshëm kur janë vetëm dhe përballë një sfide nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër përveçse forcave të veta të brendshme, si individ…Hidhi ku të duash, s’ka problem! Aq edhe të jashtëzakonshëm për t’u ngrënë me njëri-tjetrin, kur janë bashkë…Por kjo është temë tjetër!”, tha Rama.