Politika Rama refuzoi interpelancën për Rai 3, Bardhi dhe Gjekmarkaj braktisin mbledhjen e...

Rama refuzoi interpelancën për Rai 3, Bardhi dhe Gjekmarkaj braktisin mbledhjen e konferencës së kryetarëve

Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkajn kanë braktisur mbledhjen e konferencës së kryetarëve në Kuvend, ku diskutohej kalendari i punimeve dhe çështjet e rendit të ditës së punës së parlamentit.

Shkak për largimin e tyre është bërë mos pranimi i kërkesës për një interpelancë në lidhje me reportazhin e Rai 3 për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, ku lakohej dhe emri i sekretarit të përgjithshëm Engjëll Agaçi si negociatori kryesor i këtij akordi.

“Nuk e kuptoj pse në draft-kalendarin nuk është përfshirë kërkesa e grupit të PD, për interpelance urgjente. Shpresoj të jetë gabim teknik pasi ndryshe do të ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë ka kërkesa të tilla, kuvendi shmanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e Kryeministrit”, u shpreh Bardhi.

Ndërkohë Nikolla u përgjigje se “shqetësimi që keni paraqitur në interpelancë, pra objekti nuk ka lidhje me procedurën që do duhet të thirret një interpelancë. Prandaj dhe nuk përfshihet”.

“Unë e kuptoj se ju recitoni diçka që ju kanë shkruar. Në bazë të kushtetutës unë kërkoj që kryeministri të vijë dhe të japë sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një media ndërkombëtare”, shtoi Bardhi.

Më herët, gjatë javës ishte vetë kryeministri Rama që nuk pranoi urgjencën e një interpelance për këtë çështje, duke thënë se kërkon të sqarojë njëherë akuzat në gjuhën italiane, prej nga ku nisi dhe debati në të dy vendet.

Mbrëmjen e kaluar pritej dhe pjesa e dytë e reportazhit të Report në Rai 3, por ai nuk u transmetua për motive ende të paqarta.