Partia Demokratike ka dalë sot për të denoncuar “pasurimin në mënyrë korruptive” të zëdhënëses së qeverisë Elisa Spiropali dhe familjes së saj.
Në një dalje për mediat, deputetja Jorida Tabaku duke sqaruar skemën e pasurimit, tha se duhet të nisë ndjekja penale.
Tabaku: Historia e Kompanisë SLM që i përket familjes Spiropali është simbol sesi qeveria vjedh paranë publike dhe taksat e shqiptarëve. Kjo kompani është krijuar në 9 shtator në të njëjtën ditë që u krijua qeveria Rama. Dokumentet zyrtare konfirmojnë se Enkli Spiropali vëllai i zëdhënëses së qeverisë që në atë kohë po merrte emërimin si drejtoreshë e doganave krijoi një kompani që e quajti SLM me qendër në Fier dhe me kapital 1 mln lekë të vjetra.
Brenda pak muajve kompania e sapokrijuar fitoi tenderin e parë në 27 mars 2014. Bamirësi ishte kunati i tij, bashkëshorti i Elisa Spiropalit. Për të fshehur gjurmët e konfliktit të interesit dhe të ndonjë vepre tjetër penale vëllai i saj e shiti kompaninë me letra në 8 prill 2014. Kompania u shit brenda familjes, tek kushëriri i bashkëshortit. Vlera e shitjes ishte 1 mln lekë, megjithëse kompania fitoi një tender prej 6 mln lekësh.
Me këtë skemë duke u fshehur pas kushëririt të familjes, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë familjes së tij 350 mln lekë. Këto janë afera penale që kërkojnë ndjekje penale dhe përballje me drejtësinë. Më e pakta që duhet të ndodhë sot është angazhimi i Inspektoriatit të Pasurisë për të hapur një hetim pasuror.
Spiropali paralajmëron padi në gjykatë
Akuzat e PD, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali do ti çojë në gjykatë.
Në një reagim në Facebook, Spiropali hedh poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat e PD për afera korruptive dhe përfitim të tenderave nga kompania e vëllait të saj.
Spiropali: E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza të Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin!
Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me bojë. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre.
Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës.