Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe ambasadorja e Gjermanisë Susanne Schutz kanë shkuar në selinë e Partisë Demokratike mëngjesin e kësaj të mërkure për t’u takuar me kryedemokratin Lulzim Basha.
Takimi vjen pas vendimit të grupit parlamentar të PD për të djegur mandatet e deputetëve.
Sot pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD për të vendosur përfundimisht djegien e mandateve ose jo.
Bashkimi Europian është shprehur kundër vendimit të PD për të hequr dorë nga mandatet, po kështu edhe ambasada amerikane, e cila kritikoi ashpër këtë masë ekstreme.
Basha ka thënë gjatë ditëve të kaluara se Partia Demokratike nuk do të shërbejë si fasadë në një “parlament të dalë nga krimi”.
Për këtë arsye ata do të djegin mandatet duke kërkuar një qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë që ditën e nesërme opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë përpara Parlamentit.