Politika Çadra e protestës, PD dhe Vettingu

Çadra e protestës, PD dhe Vettingu

Kali i betejës së protestës maratonë të opozitës, është garantimi i zgjedhjeve të lira, përmes garantimit se vota do lexohet drejt e manipulimi nuk do të ekzistojë më në artikulimin politik shqiptar. E në fakt, kush është kundër zgjedhjeve të lira? Askush! Por fakti kokëfortë qëndron në artikulimin kontradiktor të opozitës. Më parë opozita kërkonte zgjedhje të parakohshme, me shpresën e një riçiftëzimi politik me LSI-në e Ilir Metës, gjë të cilën ka eksponentë brenda në PD, që e shpresojnë ende.

Tashmë, kërkohet rrëzimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike. Gjë e cila në katër muaj, nuk do garantonte reformë zgjedhore, pasi palët janë të ndara në këtë pikë. PD kërkon pa kushte pranimin e aplikimin e teknologjisë në zgjedhje, përmes votimit dhe numërimit elektronik. Kriter të cilin PS nuk e pranon, për arsye se nuk ekziston koha e mjaftueshme – çka është e vërtetë – e zbatimit në terren të votimit dhe numërimit elektronik.

Për pasojë, në rast suksesi, mund të kishte ndonjë shans të vogël, që më 18 Qershor shqiptarët të votonin elektronikisht nga veri në jug e nga lindja në perëndim, dhe vota e tyre të numërohej në makineritë.

Mesi i shkurtit dhe fillimi i marsit përkon me periudhën më të rëndësishme të zbatimit të procesit të verifikimit dhe kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri, njohur ndryshe si Vettingu. Kushtetuta e miratuar me konsensusin më të madh politik ndonjëherë, përcakton qartë se komisionet e verifikimit do të përbëhet nga anëtarë, të cilët do të propozohen në mënyrë të barabartë nga pozita dhe opozita parlamentare.

Për të arritur në këtë pikë, opozita bëri një betejë të gjatë e të ashpër politike, ku u përfshinë aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Të drejtën të cilën e fituan. Në fillim të muajit mars, në Parlament mbërrijnë listat e kandidaturave për anëtarë të komisioneve të Vettingut, pasi të kenë kaluar në sitën e ekspertëve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Mungesa e opozitës në Parlament, do sillte bllokimin e Vettingut.

Nisur nga këto rrethana, a do t’i vë opozita vetes vulën e bllokueses së zbatimit të Vettingut? A do ia japë Lulzim Basha mundësinë Edi Ramës të rideklarojë se protesta e opozitës, të vetmin qëllim nuk ka zgjedhjet e lira e të ndershme, por bllokimin e Vettingut dhe përmes tij mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar? Pyetje të cilat përgjigjen e tyre e marrin me vendimin nëse lidershipi i PD-së do vijojë me bojkotin e Parlamentit, apo do i rikthehet debatit parlamentar.