Aktualitet Gjykata e Lartë lë në burg tre autorët e masakrës në Çole

Gjykata e Lartë lë në burg tre autorët e masakrës në Çole

Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit në lidhje me vrasjen e tre të rinjve gjatë një konflikti të armatosur në lagjen Çole të Vlorës, në  prill të vitit 2015.

Gjykata nuk e mori në konsideratë pretencën e prokurorit Artur Selmani, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për Aleksandër Llanajn dhe dënimin me nga 35 vjet burg për Bertil Aliaj dhe Ani Begaj. Të tre këta persona u shpallën fajtorë për 3 vrasje.

Më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin Artur Selmani, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë. Llalla ka urdhëruar edhe nisjen e hetimit ndaj zyrtares dhe prokurorit për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi. Gjatë shqyrtimit të rekursit të kërkuar nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda.

Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça, thuhet në komunikatë. Ndërsa, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.