Shqiptarët kanë arritur të marrin Komunën e Tuzit në Mal të Zi, duke ofruar një precedent pozitiv bashkimi në funksion të sfidave nacionale.
Nën sloganin “Malësia na bashkon”, tre forca shqiptare, Alternativa Shqiptare me kryetar Nik Gjeloshajn, Lidhja Demokratike Shqiptare me kryetar Nikollë Camajn dhe Unioni Demokratik Shqiptar me kryetar Fadil Kajoshajn, u bashkuan në koalicionin parazgjedhor dhe ia arritën qëllimit duke dalë triumfues ndaj dy forcave të tjera, DSP-së së Milo Gjukanoviçit dhe Partisë boshnjake.
Nën një atmosferë shqiptare, me flamuj kuq e zi dhe këngë patriotike, krerët e partive shqiptare nuk e fshehën emocionin për këtë fitore historike.
Nik Gjeloshaj: Nuk kemi shumë fjalë, të gjithë jemi të gëzuar dhe të emocionuar.
Fadil Kajoshaj: Kjo nuk është fitorja e tri partive dhe Forumit Shqiptar, është fitorja e të gjithëve ju.
“Festoni shqip edhe burrnisht, vetëm shqip në trojet tona përjetë“.
Mehmet Zenka: Emocionet janë shumë të mëdha sepse këtu nuk janë vetëm malësorët por të gjithë shqiptarët e Malit të Zi janë këtu.
Një falenderim shkoi edhe për studentët që morën pjesë në sondazhet e kryera nga Forumi Shqiptar.
E gjithë atmosfera festive u përcoll nga këngëtari i njohur Nikollë Niprelaj, ku nuk mungoi dhe kënga përbashkuese “Jem Ilira, Jem Teuta”.
Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët.
Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkëqeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak.
Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike.
Zgjedhjet vendore për komunën e Tuzit, që u ndoqën nga afër edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me përfaqësues të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara, u konsideruan si shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve që janë komunitet shumicë në Malësi.