Aktualitet Berlin, Tahiri takon De Maiziere: Ulet numri i azilkërkuesve shqiptarë

Berlin, Tahiri takon De Maiziere: Ulet numri i azilkërkuesve shqiptarë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po zhvillon një vizitë pune në Gjermani, ku është takuar me homologun Thomas de Maiziere. Dy ministrat diskutuan për fushat e bashkëpunimit dhe ndanë rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe antiterrorizmit.

Temë e bisedës mes homologëve, që takohen për herë të dytë në Berlin, veç 2 vizitave të ministrit gjerman në Tiranë, ishte edhe bashkëpunimi i frytshëm në fushën e migracionit.
Çështje e diskutimit ishin edhe kërkesat e shqiptarëve për azil në Gjermani.

“Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil. Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë.

Ministri Tahiri tha pas takimit se prioritet mbetet krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si një ndër prioritetet kyç në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Diskutuam për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha ministri i Brendshëm Tahiri.