Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar ashpër mbrëmë në në emisionin “Opinion” ndaj gazetarit Basir Çollaku, i cili tha se bashkëshortja dhe babai i tij kanë udhëtuar drejt Romës me Moisi Habilajn, i cili është i dënuar për trafik droge nga gjykatat italiane në fazën e parë.
“E gjitha është një maskaradë, është një maskaradë dhe një proces i komanduar politik. Është kaq e thjeshtë. Në këtë histori mund të shkosh fare kollaj ti në burg meqë më njeh, të gjithë ata që janë aty mund të mund të shkojnë në burg, meqë më njohin mua. Po një provë prokuroria që të thotë Saimir Tahir për këtë gjë, ka kryer trafikun apo një vepër penale, unë nuk e kam. Ka dy vjet që po pres dhe unë sot nuk e kam”, tha Tahiri.
Tahiri: Një kokërr idioti aty që e dëgjova, ç’është ai Basiri, një kokër idioti që…
Fevziu: Më fal Tahiri, nuk mund të flasësh me këtë gjuhë, kjo nuk është etike një herë…
Tahiri: Ça etike mo, ku ka etikë këtu, ai gënjen publikisht.
Fevziu: Si gënjen? Unë po të pyes për atë.
Çollaku: Zotërisë së pandehur iu kthye kujtesa dhe kjo është një shenjë e mirë.
Tahiri: Edhe një herë gruaja ime dhe babai im paskan udhëtuar drejtë Italisë dhe në Rinas polici u ka vënë vulën.
Fevziu: Jo. Prokuroria, thotë Çollaku, nuk kanë vulë.
Tahiri: T’i nxjerrë letrat, janë vulat e policisë shqiptare.
Fevziu i tregoi dy faqe të fotokopjuara të pasaportave, në të cilat ishin vetëm vulat italiane, por Tahiri tha se i kanë dhënë faqen gabim atij (Çollakut), sepse ka edhe faqe të tjera pasaporta.