Kryesore Rama niset për në Itali: Çfarë do t’iu them italianëve për atë...

Rama niset për në Itali: Çfarë do t’iu them italianëve për atë që shohin në televizion

Jashtë Kuvendit të Shqipërisë opozita po zhvillon protestën e radhës duke kërkuar rrëzimin e qeverisë “Rama”, ndërsa brenda vijon normalisht seanca plenare.

Kryeministri Rama gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit u shpreh se opozita proteston për pushtet në tavolinë që nuk do ta marrë kurrë.

Ai u shpreh sërish i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa shtoi se PD-së dhe LSI-së vijon që t’i shtrijë dorën për dialog.

Megjithatë, tha Rama, nëse nuk pranojnë, dialogu do të vijojë me opozitën e re në Kuvend, deputetët që kanë pranuar që të marrin mandatin nga lista e PD-së dhe LSI-së.

Shkaku i protestës sipas Ramës është fakti se opozita e di që do i humbë zgjedhjet lokale.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës që të vijë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe të provojë sa vlen, pasi me apo pa ata, PS do të futet në zgjedhje dhe do të fitojë të gjitha bashkitë.

Rama: I shtrijmë dorën për dialog PD dhe LSI-së

“Ata e morën pushtetin, pasi PS-ja luftoi vetveten, ata nuk kanë asnjë shans asnjëherë që të bëhen shumicë, aq më tepër sot, kur shumica është kompakte, na duhet qetësi. Ka të tretë që kanë ardhur sot dhe do të vijojnë që të vijnë, çka do të thotë se këta nuk janë e vetmja zgjidhje. Ne duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Ne jemi gjithmonë gati të flasim, dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë është gjithmonë për të dialoguar për gjithçka, por nuk jemi gati që të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi dhe çdo sistemi tjetër”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, ai tha se po niset në një vizitë në Itali për të shpjeguar pamjet nga Shqipëria, se nuk bëhet fjalë për një protestë popullore, por vetëvrasje të opozitës.

“Do të shkoj matanë detit për të bërë përpjekjen time për ti shpjeguar Italisë çka kanë shfaqur lajmet, nuk është protestë popullore, por reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë e tërësisë së përfaqësisë së popullit shqiptar që për asnjë moment nuk pati sensin e realitetit dhe përfaqësimit dhe ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye, ku e vetmja gjë e re është një vendim vetëvrasës i udhëheqjes së opozitës si rezultat i humbjes së shikimit mbi Shqipërinë. Jemi në kushtet e një sezoni të ri të një seriali të njohur. Si dy vite më parë kur në bulevard u ngri një çadër për një Republikë të Re për kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Ramën kryeministër dhe trazitore për të garantuar zgjedhje sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga parlamenti”, tha Rama.