Asgjë nuk është e qetë tek Real Madrid.
Të paktën sipas asaj që raporton media spanjolle, që flet për një debat të tërbuar ballë për ballë mes presidentit Florentino Perez e kapitenit Sergio Ramos (që nuk luajti sepse ishte i skualifikuar) në dhomat e zhveshjes së Bernabeu menjëherë pas fërshëllimës së fundit që kopsiti eliminimin e pabesueshëm të blancos në Champions.
Perez, sipas asaj që shkruan AS, i ka pritur lojtarët në kthim në dhomat e zhveshjes, duke i kritikuar për rendiment të ulët që sollën rezultatet e fundit shkatërrimtare (“të turpshëm” sihte epiteti i përdorur nga Perez). Fjalë të rënda që nuk i kanë pëlqyer Ramos që, gjithnjë sipas AS, i është përgjigjur flakë për flakë numrit 1 të klubit: “Më paguaj dhe po iki – ka kërcënuar kapiteni i merengues – unë kam dhënë gjithçka e kam vënë fytyrën për këtë fanellë, për këtë klub e për ty”.
I gjithë stafi ka qenë prezent në këtë debat. E përditshmja spanjolle tregon që menjëherë pas humbjes, Perez është takuar me drejtuesit duke propozuar shkarkimin e menjëhershëm të Santiago Solari e ardhjen e José Mourinho, raportet e të cilit me Ramos, shkruan AS, “janë gati zero”.
Megjithatë është preferuar të kalohet ky moment, pa marrë asnjë vendim, edhe pse çështja mund të kthehet në aktualitet në orët e ardhshme.