Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas kritikave të komunitetit ndërkombëtar për aktin e opozitës mbi djegien e mandateve.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ish-kreu i qeverisë thotë se pasqyrimi i protestave nga mediat më të mëdha në botë po fiton edhe zemrat e përfaqësuesve të selive më të rëndësishme diplomatike në Evropë dhe më gjerë.
“Së pari, vetëkuptohet se komuniteti zyrtar ndërkombëtar nuk mbështet dhe nuk mund të mbështesë djegien e mandateve. Së dyti, mendoj se opozita ka mirëkuptim për këto qëndrime dhe po bën gjithçka për të qartësuar shkaqet që detyruan opozitën për vendimin e saj”.
Në pikën e tretë ish-kryeministri Sali Berisha sqaron se sot opozita dhe shqiptarët në tërësi me protestën dhe kauzën e tyre kanë fituar me shpejtësi të rrufeshme pushtetin e katërt botëror, atë të mediave.
“Mediat e botës kanë paraqitur revolucionin e shqiptarëve si ngjarje botërore, ne qindra e qindra lajme kanë informuar publikun e tyre se opozita shqiptare proteston kundër lidhjeve të qeverisë së Edvinit me krimin, korrupsionin e papërmbajtur dhe dhunimin e zgjedhjeve, dosjet famoze të prokurorisë, proteston kundër narkoshtetit dhe kontrollit të Shqipërisë tashmë Kolumbi e Europës nga mafia”.
Mendja dhe zemra e komunitetit ndërkombëtar po fitohet nëpërmjet protestave që pasqyrojnë mediat më të mëdha shkruan ish-kreu i qeverisë i cili e mbyll me dy fjali qëndrimin e tij opozitar: “Revolucioni i pandalshëm po ecën drejt fitores! Cunami i datës 16 Mars do mahnisë botën”!