Opozita shqiptare, e drejtuar nga Lulzim Basha, po përpiqet të realizojë një lëvizje të re në Shqipëri, me qëllim shkëputjen nga politika 27 vjeçare që ka zhgënjyer qytetarët.
Por si një politikan që ka drejtuar ministritë më të rëndësishme në qeverisjen tetë vjeçare të Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiak i Tiranës, Basha nuk shihet ende si personi që mund të reformojë politikën dhe Shqipërinë, megjithatë lëvizjet në kampin e djathtë kanë nisur.
Gazeta e PD-së, Rilindja Demokratike flet për një lëvizje të re të quajtur “MAGA”, e cila nuk është as më pak dhe as më shumë por një kopjim i sloganit që Donald Trump zgjodhi gjatë fushatës presidenciale: “Make Albania (America) Great Again”.
Informacionet për Lëvizjen MAGA janë shumë të pakta dhe në artikullin e ‘RD’-së flitet vetëm për qëllimin kryesor, atë të largimit të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për të cilën PD po proteston që prej 18 shkurtit.
Shpresat e demokratëve janë varur te disa kongresmenë dhe senatorë amerikanë, që sipas RD, do të lobojnë në Uashington që kërkesat e opozitës shqiptare të arrijnë në nivele të larta.
Senatori Roger Wicker; kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongres, Senatori Lamar Alexander, Kongresmeni Steve King, Trent Kelly, Richard Hudson dhe Robert Aderholt janë angazhuar sipas RD-së, pas takimit që zhvilluan me kreun e PR-së, Fatmir Mediu, që të përcjellin sheqtësimet dhe kërkesat e opozitës në të gjitha nivelet e administratës së presidentit Donald Trump.
Duhet thënë se Basha prej disa muajsh është duke kopjuar modelin Trump, i cili befasoi të gjithë botën duke u zgjedhur president i SHBA-së.
Reagimet për ‘Fake News’ (lajme të rreme), sulmet ndaj mediave kryesore, goditja e modelit 27 vjeçar e të bërit politik në Shqipëri, janë vetëm disa nga rastet ku Basha imiton fushatën e Trump.
Kryesore Çfarë është Lëvizja “MAGA” që Basha po synon të realizojë nga çadra