Policia e kryeqytetit ka mundur të arrestojë 3 shtetas të dyshuar për tregtimin e drogave të forta, në kuadër të operacionit të koduar “Lapraka”, që vinte pas një procedimi penal të regjistruar këtë vit.
Në flagrancë janë kapur dhe arrestuar 25-vjeçari A.D.nga Tirana, 45-vjeçari A.K. po nga kryeqyteti dhe me precedentë të mëparshëm penalë, për vjedhje me armë me pasojë vdekjen, si dhe 34-vjeçarja F.Q., të cilët ishin nën vëzhgim dhe ndjekje nga shërbimet e Antidrogës.
Njëri prej tyre, 25-vjeçari A.D. është ndalur teksa qarkullonte me një mjet në rrugën “Teodor Keko”. Pas sinjalit të ndalimit për kontroll nga patrulla, drejtuesi i mjetit ka hedhur në tokë një qese, brenda së cilës u gjetën 25 doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Edhe pas kontrollit në apartamentin e tij, janë gjetur dhe sekuestruar sasi të tjera heroine.
Bashkëpunëtorë të tij ishin shtetasit A.K. dhe F.C., të cilët u kapën në rrugën e “Durësit” dhe pas kontrollit fizik iu gjetën doza lëndësh narkotike me heroinë, për 45-vjeçarin, dhe kokainë për 34-vjeçaren. Që të gjithë ata do të përballen tashmë me akuzat për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
Në total, në fund të operacionit janë sekuestruar 51.2 gramë heroinë, 47 doza heroinë, 10.3 gramë kokainë, peshore elektronike, një motorr, aparate celularësh dhe një automjet.