Asnjë surprizë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë.
Nga pole-position në garë e kësaj të diele e para për sezonin e ri të vitit 2019, do të niset kampioni në fuqi i botës Lewis Hamilton.
Britaniku regjistroi xhiron më të shpejtë në pistën e Albert Park me kohën 1 minutë 22 sekonda e 43 të mijtat.
Ky ishte pole position i 8-të për Hamilton në Australi, më shumë se kushdo tjetër në këtë pistë, duke barazuar rekordet e Michael Schumacher në Suzuka dhe Ayrton Senna në Imola.
Ai la pas shokun e tij të skuadrës Valtteri Bottas me 1 të dhjetat më shumë. Pra, makina gjermane do ta nisë garën nga vija e parë e startit me të dy pilotët e saj.
Makina Mercedes konfirmoi kohët e shpejta të vendosura ditën e premte në dy sesionet e para të provave të lira, e pakapshme nga rivalët.
As nga Sebastian Vettel me Ferrari, i treti sot në provat zyrtare, duke lënë pas Max Verstappen me Red Bull (i katërti).
Ndërsa në vendin e pestë u rendit makina tjetër Ferrari, ajo e Charles Leclerc.