Juventusi pësoi humbje të dielën në Genoa, pas një jave magjike, me përmbysjen madhështore (3-0) në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit. Allegri vendosi ta linte pushim Cristiano Ronaldon dhe ekipi e pagoi këtë me humbjen e parë në Serie A, gjithë sezonin.
Janë luajtur 28 javë kampionat dhe Juventusi duket në rrugë të pakthyeshme drejt titullit të 35-të në historinë e vet si klub futbolli. Pavarësisht humbjes të dielën, bardhezinjtë kanë regjistruar tri rekorde historike në Serie A.
Pikët rekord
“Zonja e Vjetër” ka grumbulluar 75 pikë në 28 ndeshje kampionat. Duke pasur parasysh se mbeten për t’u luajtur edhe dhjetë javë të Serie A, mundësitë hipotetike janë që të thyhet rekordi i 102 pikëve në krejt kampionatin të epokës së trajnerit Conte, sezoni 2013-2014. Nëse i fiton të gjitha sfidat e mbetura, Allegri mund të arrijë kuotën e 105 pikëve. Që do të thotë një rekord i ri.
Titulli, më shumë javë para fundit
Interi e siguroi titullin e Serie A pesë javë para mbarimit të kampionatit, në vitin 2007. Juve, në qoftë se vazhdon me këto numra, mund të rikonfirmohet kampion i Italisë shtatë, ose gjashtë javë para përfundimit të garës.
Më pak gola të pësuar
Juve ka pësuar 19 gola në në Serie A, pas dy të së dielës, kundër Genoa. Ekipi bardhezi ka për momentin më pak gola të pësuar se Interi në sezonin 2015-2016. Zikaltrit e asaj kohe e mbyllën kampionatin me 20 gola të pësuar. Bardhezinjtë mund ta kenë shtysën e duhur për të mbetur në këtë shifër golash deri në fund, duke vendosur një rekord të vetin në kampionatin italian.