Gjykata e Lartë, e cila është e mbuluar nga dosjet e mbartura, ka shënuar një tjetër rekord 24 orë më parë.
Tre gjyqtarë kanë arritur të shqyrtojnë e japin vendim për plot 130 procese të cilat ishin në pritje pranë kësaj gjykate.
Kjo shifër bëhet publike nga vetë gjykata që sqaron se nga 19 gjyqtarë në këtë gjykatë janë vetëm 3 dhe 9 ndihmesa ligjore që janë duke punuar çdo ditë.
“Në përfundim të tremujorit të parë të vitit 2019 bëjmë me dije se, në Gjykatën e Lartë, megjithëse në përbërje vetëm me tre gjyqtarë, vazhdon shqyrtimi i dosjeve gjyqësore të regjistruara, përfshirë këtu edhe çështje të themelit. Për shkak të situatës së krijuar me të cilën përballet sot kjo gjykatë, përparësi i është dhënë shqyrtimit të çështjeve më urgjente ma natyrë civile, administrative dhe penale. Vetëm ditën e enjte, datë 28.03.2019, trupa gjyqësore arriti të marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla. Ndërkaq edhe këshilltarët e mbetur (aktualisht 9), vazhdojnë studimin e dosjeve dhe hartimin e relacioneve përkatëse, bazuar në Urdhrin e Brendshëm të Kryetarit të Gjykatës së Lartë”, thuhet në deklaratën e gjykatës.
Aktualisht numri i dosjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë, për periudhën e siperpërmendur, është rreth 31.000, prej të cilave 16.000 dosje civile, 10.000 dosje administrative dhe 5.000 dosje penale.