Zinedine Zidane kërkon të ketë kontroll absolut të situatës dhe harmonisë në dhomat e zhveshjes, që për të është thelbësore në ecurinë e skuadrës.
Për këtë, ai ka vendosur që Luca Zidane, djali i tij nuk do të rinovojë kontratën me Real Madridin, që i përfundon në fund të këtij sezoni. Aktualisht Luca aktivizohet me ekipin e Real Castilla si portier.
Zidane e ka vendosur të largojë djalin e tij, duke i hequr atij mundësinë për t’u rritur profesionalisht në një klub si Real Madrid.
Sipas asaj që ka mësuar gazeta spanjolle “Sport”, ky vendim është marrë i ndikuar nga ndeshja e fundit e sezonit të shkuar, atë ndaj Villarreal. Në atë sfidë Zidane hodhi në formacionin titullar, Luca Zidane, duke e preferuar djalin e tij para Kiko Casilla, i cili ishte zëvendësi i Keylor Navas.
Me këtë lëvizje Zidane i hoqi të drejtën e bonusit prej 600 mijë euro Kiko Casillas dhe kjo gjë shkaktoi debat të fortë në dhomat e zhveshjes. E gjithë kjo situatë nuk u kalua qetësisht nga lojtarët, që e panë se ky ishte një vendim enkas për t’i hequr mundësinë Casillas për të fituar bonusin.
Si pasojë e pakënaqësive të tilla, Zidane e ka të qartë se në plan të parë vjen Real Madridi dhe djali i tij është në plan të dytë tani dhe ai do të largohet në fund të sezonit si lojtar pa kontratë, teksa interes për të ka shfaqur Baseli.