Matteo Salvini, zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i partisë së tij të së djathtës ekstreme, do të organizojë një mbledhje të partive të ekstremit të djathtë evropian në Milano javën e ardhshme, që synon ndërtimin e një aleance përpara zgjedhjeve në maj.
Salvini po përpiqet të pozicionojë veten si udhëheqës joformal i forcave euro-skeptike dhe populiste në Evropë, por mbetet e paqartë nëse ndonjë lloj koalicioni formal do të funksionojë, duke marrë parasysh dallimet midis partive dhe rrjetit të ndërlidhur të aleancave që tashmë janë në lojë brenda Parlamentit Evropian.
I pari që e ka bojkotuar takimin ka qenë Viktor Orban. Kryeministri hungarez ka frikë të prishë marrëdhëniet me partitë popullore evropiane, dhe në këtë mënyrë ka bojkotuar takimin. Edhe Austria e kancelarit Sebastian Kurz nuk do marrw pjesw.
Populistwt nw pushtet
Populistët e djathtë të Evropës janë në pushtet në Itali, Hungari, Austri dhe Poloni dhe po kalojnë në vende të ndryshme, përfshirë Francën dhe Holandën, dhe sipas sondazheve do të bëjnë përparime të rëndësishme në zgjedhjet e majit. Megjithatë, ata nuk parashikohen të formojnë një shumicë dhe pjesa dërrmuese e analistëve besojnë se do të luftojnë për të paraqitur një front të bashkuar.
Takimi
Mediat italiane njoftuan se partitë e ekstremit të djathtë nga më shumë se 20 vende u ftuan në këtë takim, që do të mbahet të hënën në një hotel luksoz në Milano. Një zëdhënës nuk pranoi të jepte detaje se kush mund të merrte pjesë, duke thënë vetëm se “detaje të mëtejshme do të jepeshin brenda ditëve të ardhshme”.
Sipas organizatorëve, mesazhi i tyre do të jetë shkrirja në një grup të vetëm e partive euroskeptike që garojnë pas disa javësh për poste në Parlamentin Europian.
Pjesëmarrësit në takim pritet të paraqitin propozime për një “Europë ndryshe”, duke parashtruar ide si mbrojtja e vlerave të krishterimit dhe identitetit kombëtar, ashpërsimi i politikave të emigracionit në BE, dhënia fund e fondeve europiane për Turqinë dhe kufizimi i pushtetit të Brukselit në lidhje me politikat ekonomike të shteteve anëtare.
Takimi i javës së ardhshme është komentuar nga disa prej pjesëmarrësve si fillimi i “pranverës europiane” që do i sjellë dëme të konsiderueshme aksit “gjermano-francez” i cili prej kohësh dominon politikat më madhore të kontinentit.