Një trajner i madh, për një projekt afatgjatë. Steven Zhang është një lloj personazhi ambicioz, që kërkon që Interi i tij të arrijë suksese madhore në të ardhmen. Në ambientin zikaltër pritet një të ndodhë një revolucion që do të nisë nga stoli.
Emri i Antonio Conte duket një realitet i mundshëm, por nuk mungojnë dhe alternativat, siç janë Jose Mourinho, Pochetino dhe Sarri. Të gjithë emra që garantojnë siguri në ngritjen e një ekipi cilësor.
Gjithsesi, listën e kryeson Conte dhe nëse arrin akordin me drejtuesit, ngrihet pyetja se si do të jetë Interi nën drejtimin e tij. Gjithçka do të niste me zgjidhjen e çështjeve që prekin emrat e mëdhenj të klubit zikaltër, si Icardi dhe Perisic, që sot duken larg Milanos, ndryshe nga Nainggolan, njeriu i cili pritet të marrë jetë tek Interi i Contes.
Ish-trajneri i Juventuesit dhe i Chelsea-t, gjithmonë ka patur një lloj simpatie ndaj mesfushorit belg, madje Nainggolan kërkoi në vitin 2016 ta transferonte te blutë e Londrës.
Mbrojtja me tre, skema e preferuar e Contes, duket se nuk shfaq probleme, me De Vrij, Skriniar dhe Godin që japin garanci. Sigurisht, pa merkato nuk mund të qëndrojë dhe përforcime do të duhen në mesfushe dhe në sulm.
Një largim i mundshëm i Icardit do të krijonte boshllëk, gjithsesi alternativat nuk mungojnë, nga Dzeko, Lukaku apo dhe Zapata i Atalantës.
Gundogan, Eriksen dhe Rakitic janë tre emrat e mesfushës. Në letër gjëra reklamojnë një rikthim të bujshëm të Interit, por vetëm në verë do të shihet nëse ky projekt do të vihet në zbatim apo jo.