Mes protestuesve të mbledhur këtë të shtunë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara godinës së Kryeministrisë, Lulzim Basha tha se “asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk na ndan dot, nuk na përçan dot”.
“Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte. Ja ku jeni! Ja ku jemi, më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë, kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit. Bashkë me këtë vërshim të paparë e të padëgjuar për Tiranën dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit, me këtë bashkim zemrash dhe vullnetesh, burrash dhe grash fisnike të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, të padrejtësive dhe krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve që nga koha e pushtuesve më mizorë, nuk kanë parë shqiptarët një pakicë dhe një kryekriminel kaq barbar dhe urryes ndaj popullit të tij. Një njeri që hyn në histori, si njeriu që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, në shtëpitë e fëmijëve të tyre, që nisi rruspat për t’u prishur shtëpitë, për të pasuruar veten e tij dhe krimin e organizuar që e ka ulur në institucionet e republikës sonë. Ky muzg është muzgu i bashkimit më të madh të shqiptarëve, mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Rama ik!
Vetëm 8 javë më parë ju iu përgjigjët opozitës së bashkuar, në u përgjigjëm me atë që ishte verdikti juaj, djegia e mandateve. Që nga ai moment, radhët e bashkimit tonë kanë tejkaluar konturet e çdo partie, të opozitës së bashkuar.
Për kreun e PD, kjo është dita për të mos bërë më kompromise, ndërsa iu ka dhënë një mesazh edhe ndërkombëtarëve.
“Ne e dimë fare mirë se ky mandat besimi shkon përtej një rotacioni politik, është rizgjimi kombëtar i një aspirate për të cilën kemi sakrifikuar shumë, kemi patur përparime, dhimbje e zhgënjime. Sot është dita që të mos bëjmë kompromise. Nuk duam asgjë më shumë se standardet europiane. Ta dëgjojë bota se nuk ka dhe nuk do të ketë kompromis me ëndrrën tonë: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pengesa e vetme për Shqipërinë si gjithë Europa, është Shqipëria e bërë njësh me krimi që i ka mbyllur dyert e Integrimin e Europian”.
Basha tha më tej se nga sot shteti, ligji dhe drejtësia është populli.
“Me Edi Ramën nuk ka shtet, por vetëm krim, korrupsion, dhunim të drejtave dhe lirive tuaja. Ndaj ne i themi sot nga ky shesh, që sot e tutje ju nuk jeni më shteti, jeni antishteti. Ju nuk jeni ligji, jeni antiligji, jeni padrejtësia. Që sot e tutje, ligji, drejtësia, shteti është sovrani i derdhur në këtë shesh”.