Politika Deputeti i PS: Nuk e vendos Basha nëse ka zgjedhje ose jo

Deputeti i PS: Nuk e vendos Basha nëse ka zgjedhje ose jo

“I kemi bërë detyrat”. Është i bindur për këtë Ervin Bushati, deputeti i Partisë Socialiste.

Ndërkohë, një pjesë e vendit është në protestë, por për Bushatin ky nuk përbën problem.

“Protestat? Protestohet në çdo vend të botës, në Zvicër, Paris dhe Londër”.  Protestat shërbejnë për reflektim, dhe ai e pranon “si në rastin e studentëve.

Por një force politike që proteston në mënyrë të vazhdueshme që me shpalljen e rezultatin që e certifikon si humbës, luan një rol jo konstruktiv për demokracinë”.

Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje lokale, por Bushati mendon se lideri demokrat  “nuk ka prerogativën të vendosë a do të bëhen apo jo zgjedhjet”.

Ndërkohë, Bushati gjen një paradoks në faktin që sipas tij “opozita ka filluar të prezantojë kandidatët”, nga Shkodra në Kukës.

Bushati komenton edhe mocionin për vizat ndaj Shqipërisë në Holandë, gjerësisht e debatuar por që sipas tij shpjegohet me “disa forca parlamentare të djathta që gjejnë argument jashtë shifrave dhe fakteve”, aty ku sipas tij vetëm 0,2 % që procedohen penalisht në atë vend janë shqiptarë, por siguron që Qeveria holandeze si dhe Komisioni Evropian janë të bindur për progresin e bërë.