Bota Ku e gjeti Benzin e blinduar Kim Jong? Kompania “ngre supet”

Ku e gjeti Benzin e blinduar Kim Jong? Kompania “ngre supet”

Kompania gjermane e automjeteve, “Daimler”, e njohur ndryshe si Mercedes, thotë se nuk e ka idenë ku i ka gjetur limuzinat e blinduara lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Në takimin me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, Kim Jong kishte dy limuzina; një Mercedes Maybach S600 Pullman Guard dhe një Mercedes Maybach S62. Edhe në dy samitet e mëparshme që ka patur me Presidentin amerikan Donald Trump, Kim Jong ka përdorur S600 Pullman Guard.

Shitja e automjeteve luksoze, duke përfshirë edhe limuzinat, është e ndaluar në Korenë e Veriut për shkak të sanksioneve që ka vendosur OKB-ja ndaj shtetit komunist. Megjithatë, kompania “Daimler” shprehet se nuk ka asnjë marrëveshje tregtare me Korenë Veriore.

“Nuk e kemi idenë se si këto automjete janë dërguar në Korenë e Veriut. Për Daimler, eksporti i produkteve në përputhje me ligjin është një parim themelor i sipërmarrjes së përgjegjshme”, tha për ‘Associated Press’ zëdhënësja e kompanisë Daimler, Silke Mockert.

Daimler, me bazë në Shtutgart të Gjermanisë, është një nga kompanitë më të mëdha të automobilave në botë, ku aktivitetin e saj e shtrin në Evropë, Amerikën Veriore e Jugore, Azi dhe Kore. Kurse Koreja e Veriut nuk është një nga klientët e saj zyrtarë.