Mediet e huaja sportive e japin si të sigurt, në qershor Antonio Conte do të rikthehet të stërvisë një skuadër. E sigurt, por ku?
Destinacioni është i vështirë për t’u zbuluar sepse ndaj italianit janë të shumtë ata që duan ta kenë si trajner.
Interi u duk sikur javët e fundit kishte intensifikuar bisedimet me Conten, por më pas Marotta e konfirmoi publikisht do të vazhdojmë me Spalletin. Juventus gjithashtu e ka në konsideratë në rast se Allegri i jep lamtumirën bardhezinjve.
Roma ka dalë hapur, Totti ka deklaruar publikisht se për Conten verdhekuqtë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.
Skuadra tjetër italiane është Milani. Përpara se Gattuso të merrte konfirmim, Conte dukej shumë pranë kalimit tek kuqezinjtë. Largimi i Gattussos në fund të sezonit duket i sigurt, ndërsa Leonardo dhe Maldini kanë nisur bisedimet me ish trajnerin e Chelsea-t.
Kualifikimi në Champions mesa duket nuk është kusht që Antonio Conte të pranojë ofertën e Milanit. Dëshira e trajnerit është të rikthehet ne Itali edhe pse klube të tjerë me peshë si Paris Saint Germain, Manchester United si dhe Bayern Munich kanë janë në garë për të.
Gjithçka pritet të marrë zgjidhje brenda pak javësh. Të shumtë janë ata që presin por, vetëm njëri do të fitojë.