“Kam folur me një top klub, që ka një histori të madhe, një klub që në këtë moment ka të njëjtat ambicie me mua për të fituar diçka të rëndësishme. Për këtë arsye vendosa të shkoj te Interi”.
Edhe për mikrofonat e BBC, Antonio Conte shpjegon motivet se pse pranoi stolin e Interit, pas eksperiencës së përfunduar si mos më keq në Londër te Chelsea. Tani, për trajnerin salentin, një aventurë e re, edhe pse e paragjykuar nga e shkuara e tij juventine.
“Mendoj se është një sfidë e re, një kapitull i ri i jetës time. Në të shkuarën time kam fituar shumë tituj me Juventusin, dua të bëj të njëjtën gjë këtu. Historia e këtij klubi është shumë e rëndësishme, ne duhet të kemi respekt për këtë gjë dhe duam të çojmë klubin në nivelet e të shkuarës”.
Diskutimi, në mënyrë të pashmangshme, kalon te merkato: “Lukaku? Është vështirë të flasësh për këtë gjë, sigurisht kemi një plan për të përmirësuar ekipin. Por, e rëndësishme është të kesh ambicie të mëdha për të reduktuar hendekun”.
“A kam biseduar me klubin për këtë gjë? Jo! Në këtë moment është drejtori sportiv që duhet t’i përgjigjet pyetjeve për merkaton. Jemi të përqendruar për të hedhur hapat bashkë dhe punuar ashtu si duhet. Sanchez? Flisni me drejtorin sportiv”.
Conte, më pas, provon të driblojë temën “Icardi”: “A do të qëndrojë Icardi? Do të shohim çdo situatë dhe do të marrim vendimin më të mirë për klubin. Do të punojmë shumë për të bërë zgjedhjet më të mira, sepse klubi është gjëja më e rëndësishme në të tashmen dhe të ardhmen”.
“Nuk kam folur me të, po futem tani në atmosferën dhe sfidën që kam pranuar. Chelsea? Jam i kënaqur nga eksperienca në Angli. Chelsea ndodhej në vend të dhjetë dhe jashtë Europa League kur shkova. Fitova Premier League në vitin e parë duke mbërritur edhe në filane e FA Cup, më pas të fituar në sezonin e dytë: në Angli është e vështirë të fitosh”.
“Cili lojtar i Chelsea-t më ka lënë mbresa? Kishte shumë. Më pëlqen të flas për Kante sepse po flasim për një futbollist të veçantë. Është fantastik, mund t’i besosh te ai. I uroj më të mirën”.
Por, cila është fjala që përkufizon aventurën e re te Interi? “Të punosh fort dhe të kesh ambicie, dy fjalë!”.
Një parashikim edhe për finalen në Madrid, Liverpool-Tottenham: “Shoh një ndeshje të ekuilibruar mes dy ekipesh të mëdha. Për mua, Liverpool është favoriti, shpresoj të kënaqem”.