Qyshkur Presidenti Ilir Meta doli me njoftimin për anulimin e 30 qershorit, mes Presidencës dhe opozitës nga njëra anë dhe Kuvendit e Qeverisë nga ana tjetër ka nisur një debat se kujt i jep Kushtetuta të drejtë, jo vetëm për këtë çështje.
Socialistët iu kundërpërgjigjën Metës përmes një rezolute kundër dekretit presidencial, që u mbështet nga 100 deputetë, ndërkohë që të hënën pritet që të nisin edhe procedurat për shkarkimin e Ilir Metës. Deri më tani socialistët thonë se kanë grumbulluar 55 firma, nga 35 që u duhen, për të nisur këtë proces në Kuvend.
Kërcënimeve për shkarkim, Ilir Meta iu përgjigj me kërcënimin për marrjen e një vendimi për shpërndarjen e Kuvendit. Kërcënimi “fshihet” në një letër që kreu i shtetit i dërgoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i jepte numrin e saktë të deputetëve që ka aktualisht Parlamenti.
Parlamenti aktualisht ka 122 deputetë, nga 140 që përcaktohet në Kushtetutë. Nisur nga kjo Presidenti mund të vendosë shpërndarjen e tij me pretendimin se shkelet kjo pikë e Kushtetutës, që sanksionon se Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë 140 deputetë. Para se të dërgonte letrën në KQZ, Meta iu përafrua fjalorit të opozitës, ku në mos ilegjitim, Parlamentin aktual e cilësoi me legjitimitet të cunguar.
“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament plotësisht legjitim. Natyrisht presidenti i takon vetëm republikës dhe republika u takon vetëm qytetarëve. Besoj se jam shumë i qartë”, deklaroi ai.
Nëse Ilir Meta u tregua disi i përmbajtur në deklaratë, duke mos e cilësuar plotësisht jolegjitim parlamentin aktual, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi jo. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai foli me termat, akuzat dhe sloganet e protestave opozitare kundër socialistëve.
A është legjitim parlamenti aktual, apo ai është në shkelje të Kushtetutës? Instituti i Studimeve Politike mendon se më shumë se kushtetues, debati është politik. “Debati nëse parlamenti duhet të ketë 140 apo 122 deputetë është më shumë debat politik sesa kushtetues. Parlamenti, në momentin që është zgjedhur i ka pasur 140 deputetë, por zhvillimet që ndodhin gjatë legjislaturës nuk përbëjnë devijim thelbësor nga parimi kushtetues”, thuhet në një analizë të fundit të këtij Instituti.
ISP, i specializuar në monitorimin dhe analizimin me imtësi të aktivitetet parlamentar, sheh disa aspekte të problemit politik. Së pari, vërehet se opozita reale nuk është e përfaqësuar në Kuvend dhe bashkë me të, edhe rreth gjysma e votuesve tradicionalë.
Së dyti, ISP thotë se ka qarqe të vendit dhe për pasojë elektorat të shumtë, që nuk është i përfaqësuar sa duhet në Parlament. “Lezha është rekord negativ për mos-përfaqësim. Po ashtu edhe qarqe të tjera, kryesisht zona ku urdhri politik i dorëzimit të mandatit është respektuar, që janë të nën-përfaqësuara dhe në kontestin shqiptar, nën-përfaqësim do të thotë edhe pasoja negative në politik-bërje, në marrjen e vendimeve, në ndarjen e buxhetit, në lobing dhe përfaqësim të interesave të këtyre zonave”, thuhet në analizën e ISP.
Së treti, ISP thotë se as zëvendësimi i asaj pjese të mandateve të djegura nuk është përfaqësues dhe për më tepër ka dobësuar në nivele minimale kritikën ndaj Qeverisë.
“Pasi kryesisht janë prurje nga parti të vogla aleate apo individë pa CV politike. Natyrisht ata janë legjitimë dhe përgjegjësia për vendimin e tyre është e atyre që kanë hartuar listat e kandidatëve dhe e atyre që imponuan vendimin e dorëzimit të mandatave, por në aspektin cilësor parlamentar dhe përfaqësues, standardi i përfaqësimit të votuesve kritikë ndaj qeverisë është minimal dhe shumë larg nevojave, kërkesave, pritshmërive dhe mundësive”, deklaron ISP.
Në fund, Instituti i Studimeve Politike paralajmëron një situatë të pazakontë, që mund të shfrytëzohet nga mazhoranca edhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.
“Së fundi, ka edhe një problematikë ligjore që në kushtet e leximit të ligjeve dhe Kushtetutës me dy ose më shumë standarde, mund të kthehet në ushqim për krizë politike ose agravim të saj. Në disa dispozita theksohen procedura të tilla, si dy të tretat e të gjithë deputetëve, tre të pestat e të gjithë deputetëve, etj, etj. Pyetja është, tre të pestat apo dy të tretat e 140 deputetëve apo të 122 deputetëve? Referimi tek 140 deputetët lidhet me Kushtetutën dhe zgjedhjet 2017, kurse referimi tek 122 deputetët lidhet me listën fundore të mundshme të përbërjes së parlamentit aktual. Në një vend me logjikë shtetërore dominon koncepti kushtetues i 140 deputetëve, por jemi në Shqipëri dhe koha ka treguar se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese secili partiak mund të marrë përsipër të bëjë leximin e saj”, thotë ISP.
Pra, sipas këtij paralajmërimi, nuk është çudi që në një votim hipotetik për shkarkimin e Ilir Metës, mazhoranca ta cilësojë të vlefshëm shkarkimin edhe nëse merr dy të tretat e 122 deputetëve, jo të 140 deputetëve.