Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj në Njësinë 9 e nisi fushatën paksa ndryshe. Ai zgjodhi të urojë fillimisht rivalin e tij, numrin 1 në listën e votimit, kandidatin e partisë Bindja Demokratike, Arben Skënderaj, pasi sot ai u bë baba për herë të dytë.
“Unë doja që të merrja një moment dhe të bëjmë atë që ne socialistët dimë të bëjmë më mirë, solidaritetin, afeksionin, dashurinë që ne tregojmë jo vetëm për ata që janë pjesë e familjes tonë, por edhe për kundërshtarët tanë.
Dhe një nga arsyet pse dua të marr një moment ta uroj është sepse rivali im në këtë garë, Arben Skënderi sapo është bërë me djalin e tij të dytë. Edhe nga të gjithë socialistët e Tiranës ne të urojmë jetë të gjatë për ty, për Denada Toçen bashkëshorten, i urojmë asaj një rikuperim të shpejtë pas lindjes dhe shpresoj shumë që pavarësisht rezultatit në këtë garë, edhe unë edhe Arbeni, edhe një i majtë e një i djathtë do të bashkojmë forcat për Tiranën e fëmijëve tanë”, – tha kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai shtoi se pavarësisht ndasive dhe bindjeve të ndryshme politike me rivalin e tij, ka një gjë që i bashkon.
“Ajo që na bashkon me Arbenin, është fakti që pavarësisht që ai është i djathtë e unë i majtë, pavarësisht sepse kemi bindje të ndryshme apo tesera të ndryshëm, kemi një gjë të përbashkët. Edhe unë edhe ai kemi vendosur që çunat tí rrisim këtu, edhe unë edhe ai kemi vendosur që të mos i bëjmë bisht garës dhe që pjesëmarrja është më e rëndësishme se largimi nga gara, sesa bojkoti i vullneti të qytetarëve.
Ndaj i urojmë Arbenit dhe djalit të tij Sebastian që ka lindur sot, një jetë të gjatë dhe të lumtur dhe përkushtimin e prindërve që kanë për hise, kanë për detyrë, kanë për mision të çojnë Tiranën përpara, të gjithë angazhimin dhe të gjithë përpjekjet tona deri në fund”, – u shpreh Veliaj nga njësia nr 9 në kryeqytet.