Sport Juventusi planifikon 200 milionë euro arkëtime, ja kush do të largohet

Juventusi planifikon 200 milionë euro arkëtime, ja kush do të largohet

Të mërkurën, Juventusi zhvilloi seancën e parë stërvitore nën drejtimin e Maurizio Sarrit, ndërsa i pranishëm ishte edhe Buffon. Bardhezinjtë vazhdojnë të jenë aktivë në merkato dhe krahas afrimeve priten edhe lamtumirat.

Çështja Higuain

Tifozët e mirëpritën me entuziazëm të madh duke i kërkuar të qëndronte te Juventusi. Megjithatë, e ardhmja e Gonzalo Higuain tani duket të jetë larg nga bardhezinjtë. Për sulmuesin argjentinas ekziston mundësia e rikthimit të shpejtë në Premier League, pas “lamtumirës” nga Chelsea, ku qëndroi për 6 muaj i huazuar. Është West Ham, klubi anglez, që tashmë ka kontaktuar me drejtuesit e Juventusit për “Pipitan”.

Sipas raporteve të “Sky Sport”, “Hammers” kanë propozuar një huazim, me të drejtën e blerjes përfundimtare, nëse plotësohen disa kushte. Megjithatë, Juventusi nuk dëshiron të hyjë më tej në të tilla llogari. Ai ka vendosur çmimin 40 milionë euro për argjentinasin.

Nuk ka zbritje e opsione të tjera për “Pipitan”, për të cilën Roma ka qenë, gjithashtu, e interesuar prej një kohe. “Zonja e Vjetër” do të vlerësojë ofertat dhe do të tentojë zgjidhjen më të mirë të mundshme, për t’i gjetur një klub të ri sulmuesit. Vetë Higuain dëshiron të konfirmohet si sulmues i frikshëm për mbrojtjet dhe portat kundërshtare, pas një sezoni të keq huazimesh te Milani dhe Chelsea.

Të tjerët

Për Joao Cancelon gjithashtu ka mbërritur një ofertë. Manchester City kërkon të sigurojë shërbimet e mbrojtësit, ndërsa për ta lënë të lirë drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kërkojnë 60 milionë euro.

Nuk mbaron ma kaq lista e lojtarëve që mund t’u japin lamtumirën kampionëve të Italisë. Në mesfushë, një mes Khediras dhe Matuidit  mund të mos gjejë më hapësira, ndërsa në sulm situate mbetet e vështirë edhe për Mario Mandzukic.

Moise Kean gjithashtu mund të largohet, për të interes ka shfaqur Ajaxi, por edhe Evertoni në Premier League.

Edhe Mandzukic do të largohet, për kroatin që është pranë Borussias së Dortmundit, Juvja kërkon 15 milion euro. Edhe kroati tjetër, Piaça, është drejt largimin pas problemeve pa fund fizike. Në fund është edhe Perin: një sezon për tu harruar, por që Juvja kërkon për të 20 milion euro.

Në total, vlera që mund të arkëtojë Juventusi nga shitja e tyre shkon në 200 milionë euro. Mediet italiane konfirmojnë se te bardhezinjtë nuk ka një çështje “Dybala”, pasi argjentinasi ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar në Torino.