Politika Betohen këshilltarët e Tiranës, Gogu zgjidhet kryetar i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi...

Betohen këshilltarët e Tiranës, Gogu zgjidhet kryetar i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi merr mandatin e dytë në krye të Qarkut

Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 30 qershor janë betuar sot duke konstituuar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetar i tij u zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai u propozuar nga kryetari i këshilltarëve socialist, Eridian Salianji, i cili vlerësoi formimin e Toni Gogut si një jurist, besimtar dhe familjar shumë i mirë.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Aldrin Dalipi vlerësoi kandidaturën e z. Gogu për detyrën e kreut të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shprehu bindjen e plotë në përmbushjen me sukses të detyrës.

Duke mbështetur maksimalisht propozimin e drejtuesit të grupit të Partisë Socialiste, për kandidaturën e zotit Toni Gogu, si kryetar i ri i këshillit të bashkisë së Tiranës, më lejoni të vlerësoj se zoti Gogu përcjell cilësi shumë të mira qytetare dhe profesionale për këtë detyrë. Me një eksperiencë shumë të vlerësueshme për nga përkushtimi dhe korrektesa, ai ka drejtuar një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare si Ëord Vizion për Shqipërinë dhe Kosovën. Po kaq pozitive do të vlerësoja edhe punën e tij në sistemin e drejtësisë, duke lënë gjurmë të posaçme gjatë veprimtarisë së tij deri në detyrën e zv. ministrit të drejtësisë së fundmi”, tha Aldrin Dalipi.

Më pas këshilli ka vijuar me procedurën e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Këshillit Bashkiak, ku në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi.

Gjatë fjalës së betimit kryebashkiaku Veliaj falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe ish kreun e Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi.

Në jetën e njeriu t’i shërbej vendit, qytetit të vet. I kam qenë gjithmonë shumë mirënjophës Edi Ramës dhe PS që më dha besimin të drejtoj kryeqytetin në këto vite por në fakt këtë mirënjohje në këtë mandat e kam dy here më të madhe se tani kam rënë në dashuri me Bashkinë dhe tani e kuptoj se ç’mendim ose ç’vështirësi për vendimmarrje mund të ketë pasur Edi Rama, PS, ata që më dhanë këtë mbështetje pasi kanë qenë këtu dhe nostalgjia e të pasurit të një vendi ku ke rënë në dashuri, ke shërbyer me dashuri, ke kaluar me përkushtim ditë të tëra, për t’ ia transferuar dikujt të ri, besoj që ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe për besimin që mu dha nga qytetarët e Tiranës, ndoshta në zgjedhjet më të pazakonta në historinë e qytetit tonë dhe vendit tonë.

Megjithatë, thirrja jonë është që të shërbejmë, ndaj dua të falënderoj ata që kanë shërbyer me përkushtim duke nisur nga Aldrini, që dua t’i japim një duartrokitje dhe teksa ne vijojmë ti japim atij mbështetje në drejtimin e qarkut që sot gjithmonë e më shumë është integruar në rajonet e tjera evropiane dhe ashtu se si qeveria qendrore në drejtimin e kryeministrit tonë po shtyn përpara axhendën europianizuese të vendit, ashtu duam që rajonet tona, që rajoni I Tiranës të jetë një lider, ashtu si Bashkia e Tiranës është një lider në komunitetin e Autoriteteve Vendore”, u shpreh Veliaj.

Në organet drejtuese të pushtetit vendorë, socialistët caktuan Aldrin Dalipin për një mandat të dytë në krye të Këshillit të Qarkut, Toni Gogu në krye të Këshillit Bashkiak, Vjollca Braho dhe Luan Bregasi si nënkryetar të Këshillit Bashkiak.