Aktivistja adoleshente nga Suedia, Greta Thunberg, e cila u bë e njohur pasi la shkollën për të luftuar ndryshimet klimatike në të gjithë globin, ka ndërmarrë një tjetër nismë ambicioze.
Ajo do të lundrojë me anije për në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën dhe nuk do të udhëtojë me avion. Në këtë mënyrë, Thunberg kërkon që të vendosë shembull për të nxitur dhe të tjerë që të reduktojnë emisionet e gazit të karbonit.
Lundrimi i 16-vjeçares, që kryeson fushatat kundër ngrohjes globale, do të nisë nga Britania e Madhe. Pas mbërritjes në Nju Jork, Thunberg do t’i bashkohet demonstrimeve të një shkalle të gjerë dhe do të flasë në samitin e veprimit për klimën të organizuar nga OKB.
Rrugëtimi i saj nuk do të përfundojë aty: aktivistja do të udhëtojë sërish për në Kili për të marrë pjesë në një konferencë tjetër për klimën. Gjatë udhëtimit do të ndalojë dhe në shumë shtete të Amerikës Latine si dhe në Meksikë e Kanada.
Thunberg nisi betejën e saj me një grevë 1-javore në shkollën e saj në Suedi dhe shembulli i saj frymëzoi shumë të rinj në 150 shtete të ndryshme të botës, që braktisën shkollën për të shprehur zemërimin për masat e papërshtatshme për limitin e ngrohjes globale.