Aktualitet “50 mijë € ose të zhdukim”, pranga tre vëllezërve për gjobëvënie

“50 mijë € ose të zhdukim”, pranga tre vëllezërve për gjobëvënie

Tre vëllezër me origjinë nga Dibra por banues në Tiranë janë vënë në prangat e policisë me akuzën e gjobëvënies. Ata akuzohen se i kishin vënë gjobë 50 mijë euro një shtetasi, duke e kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes.

Kapja e tyre u bë nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas një pune të mirëorganizuar disa javore duke përdorur edhe metoda speciale hetimi.

Të arrestuarit janë:
Xh. T., 23 vjeç,
E. T., 32 vjeç,
A. T., 32 vjeç,

Nga hetimet e deritanishme, policia thotë se “këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar t’i marrin në formë gjobe një shumë prej 50 mijë euro një shtetasi, nëpërmjet kërcënimeve të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjarëve”.

Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.