Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar hetimet për kryebashkuan e zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri.
Në një postim në Facebook, Basha thotë se Kryeministri ka marrë çdo pushtet dhe është një rrezik për çdo familje. Sipas kreut të demokratëve, Valdrin Pjetri duhet të ishte marrë i pandehur sepse ka shkelur ligjin e Dekriminalizimit.
Basha shkruan se Pjetri ka qenë i përfshirë në trafik droge në Itali, por vendimin e autoriteteve italiane për dëbimin e tij nuk e ka pasqyruar në formularin e Dekriminalizimit.
“Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë.
Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.
Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë.
Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare”, shkruan kryetari i PD, Lulzim Basha