Disa orë pas fjalëve qetësuese të Beppe Marotta, në shtëpinë e Interit ka shpërthyer një “bombë” tjetër për Icardi. Ish-kapiteni, në fakt, ka vendosur të padisë klubin, duke kërkuar riintegrimin e menjëhershëm në skuadër dhe kompensim maksimal financiar prej 1.5 milionë eurosh për dëmtim imazhi. Icardi, siç raportohet nga “Il Corriere della Sera”, beson se ka pësuar dëme nga “sjellja shtypëse” e Interit, është “lënduar në dinjitet”. Na padinë e dorëzuar në gjykatë, argjentinasi citon 41 fakte (prova), ku e bazon pretendimin e vet, përfshirë dokumente, video dhe artikuj mediash. Icardi ka kërkuar nga gjykata si dëshmitarë të gjithë shokët e skuadrës. Ata duhet të dëshmojnë për situatën.
Ndër arsyet e padisë ndaj Interit, përveç mungesës së pjesëmarrjes në fushatat e ndryshme publicitare, Icardi përmend edhe përjashtimin nga bisedat e chat-it në ekip, ku komunikohen oraret dhe metodat e trajnimit. Por jo vetëm. Icardi reklamon në gjykatë edhe mënyrën e heqjes së numrit 9, si dhe detyrimin për t’u stërvitur me “tepricat: e skuadrës zikaltër. E gjitha kjo ka precedentë, të cilëve iu referohet Icardi. Ai përmend rastet e Puggioni te Chievo dhe Albertazzi te Verona, në të cilat të dy lojtarët më pas fituan çështjen kundër klubeve të tyre përkatëse. Në këtë pikë, me pak fjalë, lufta me Interin është tashmë totale, por klubi zikaltër beson se ka të drejtë, duke pasur parasysh që Icardi është stërvitur gjithmonë me grupin, përveç kohës taktike, e cila është diskrecion i trajnerit.
Në çdo rast, fjala e fundit do të thuhet nga gjykatësit. Tashmë pritet të caktohet gjyqtari, që do të shqyrtojë padinë e argjentinasit. Sidoqoftë, vendimi nuk mund të merret para tre muajsh. Tre muaj që ish-kapiteni rrezikon seriozisht t’i kalojë në “Pinetina”, i ndarë nga “shtëpia zikaltër”. Në fakt, duket shumë e pamundur që Icardi të pranojë të lëvizë jashtë vendit në ditët e fundit të merkatos, pasi i ka refuzuar të gjitha destinacionet e tilla. Brenda Serie A është gati të lëvizë vetëm drejt kampionëve bardhezinj. Për sa kohë Juventusi nuk vendos të dalë hapur, të zyrtarizojë një ofertë bindëse për Interin, gjërat do të mbeten të ngrira… Veçse tashmë, lufta totale është zyrtarizuar në gjykatë.