Emri i Paul Pogba’ iu shtua mungesave të bujshme të kampionëve të botës në futboll, për eliminatoret e Europianit këtë muaj.
Mesfushori influencues i Manchester United ishte në listë dhe pritej të rikuperohej për ndeshjen ndaj Shqipërisë, por problemet fizike të mbartura nga kampionati anglez, do ta privojnë nga beteja me kuqezinjtë në Stad de Frons.
Trajneri Didie Deshmp, preferoi të mos e dramatizonte situatën përballë dy kundërshtarëve si Shqipëria dhe Andorra, që të paktën në letër cilësohen 6 pikë të sigurta për transalpinët. Por, dukshëm planet e tij janë cënuar me mungesat e Kante’ Dembele’, Mendi’ Mbape’ dhe së fundmi Pogba’.
“Këto janë pasoja të ndeshjeve të shumta dhe sezonit sfilitës. Shumë lojtarë mbyllin kampionatin më vonë se të tjerët dhe kanë më tepër ndeshje për 3 apo 4 vjet me radhë. Në fund fiziku thyhet e kjo nuk është vetëm për Francën. Kalendari i sotëm është i çmendur, por më duhet të përshtatem për këto ndeshje, edhe pse mund të ishim shumë më mirë. Askush nuk tha do të jetë e lehtë. Jemi në mesin e një fushate dhe duam 6 pikë me Shqipërinë dhe Andorrën”, ka thënë trajneri i Francës, Didier Deschamps.
Franca kryeson grupin H me 9 pikë së bashku me Turqinë dhe Islandën, ndërsa Shqipëria është e katërta me 6 pikë në 4 ndeshje të zhvilluara.