Presidenti filipinas Rodrigo Duterte ftoi qytetarët që t’i qëllonin, por jo t’i vrisnin, të gjithë zyrtarët që i kapin duke marrë ryshfet, duke u premtuar se nuk do të ndiqen penalisht, me kushtin që zyrtari i korruptuar nuk vdes.
Urdhri i pazakontë presidencial u bën gjithashtu thirrje filipinasve që të rrahin çdo oficer të korruptuar që takojnë, pavarësisht pasojave që mund të ketë një veprim i tillë për ligjin dhe rregullin në vend.
“Nëse paguani një taksë, apo merrni një certifikatë dhe zyrtari ju kërkon ryshfet, qëllojeni. Nëse keni armë mund t’i qëlloni me to, por mos vrit, sepse gjatë procedimit mund të mos përfitoni faljen”, tha Presidenti Duterte.
Presidenti filipinas është i njohur për deklaratat e pazakonta dhe humorin e zi, ashtu sikurse edhe për vënien në zbatim të planeve të tij. Kujtojmë luftën e dhunshme kundër drogës, të kritikuar në mënyrë të vazhdueshme nga grupet në mbrojtje të të drejtave të njeriut, OKB dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar.
Deri në Janar të 2019-s, numri i personave të ekzekutuar si trafikantë apo edhe përdorues droge, përllogaritet të jetë rreth 5 mijë, ndonëse grupet për të drejtat e njeriut deklarojnë se shifra mund të jetë shumë më e madhe, ndoshta dyfish.