Aktualitet “Social Good Summit” në Vlorë sjell në vëmendje ndryshimet klimatike: Shoqëria duhet...

“Social Good Summit” në Vlorë sjell në vëmendje ndryshimet klimatike: Shoqëria duhet të veprojë

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri Zj. Limya Eltayeb, studente dhe përfaqësues të shoqërisë civile u bënë pjesë e  aktiviteteve të organizuara në kuadër të Social Good Summit që u zhvillua në Vlorë.

Aktivitetet synuan  të vendosin ndryshimet klimatike në qendër të vëmendjes dhe të bëjnë thirrje për përfshirjen e gjithë shoqërisë dhe nevojën për të ndërmarrë  masa mbi ndryshimet klimatike në mënyrë që Shqipëria të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Parisit.

Gjate aktiviteteve u nënvizua bashkëpunimi midis UNDP, autoriteteve lokale, partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar të zhvillimit për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ruajtjes së ekosistemeve të shëndetshme, produktive dhe të qëndrueshme.

Ngrohja globale e nxitur nga njeriu ka arritur tashmë në rreth 1° C me shumë (2018) krahasuar me periudhat paraindustriale (1850-1900).  Katër vitet e fundit ishin vitet më të nxehta. Nivelet e deteve po rriten, shkëmbinjtë koralorë po shkatërrohen dhe impakti i ndryshimeve klimatike në shëndet përmes ndotjes së ajrit, valëve të të nxehtit dhe uljes së sigurisë ushqimore po bëhet gjithmonë e më evident.

Shqipëria do të jetë një prej vendeve të Europës që do të preket më shumë nga ndryshimet klimatike. Ngjarje ekstreme atmosferike dhe fenomene si reshje të dendura, periudha të gjata thatësire, si edhe rritja e nivelit të Detit Adriatik do të jenë disa prej pasojave kryesore të cilat do të kenë impakt mbi burimet ujore, energjinë, agrikulturën, turizmin dhe shëndetin.

Analizat shkencore më të fundit tregojnë se nëse veprohet tani , është e mundur të ulen shkarkimet e gazeve serë brenda një periudhe 12-vjeçare dhe të mbahet  rritja e temperaturës mesatare globale mjaft nën 2 °C dhe madje, siç kërkohet, në jo më shumë se 1.5 °C më lart niveleve paraindustriale.

Qeveria Shqiptare u angazhua dhe po përgatitet që deri në vitin 2030 të reduktojë sasinë e çliruar të dioksidit të karbonit duke rishikuar zhvillimin e një sërë sektorëve të ekonomisë dhe duke përcaktuar de-karbonizimin si një mënyrë të re rritjeje në përputhje me axhendën botërore të 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm- SDGs

UNDP Albania ka vendosur në dispozicion ekspertizën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më të gjithë partnerët dhe grupet e interesit për të arritur zgjidhje afatgjata që favorizojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, aplikimin e teknologjive për burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetit të energjisë, rehabilitimin e mbetjeve dhe promovimin e riciklimit.

Social Good Summit mbahet çdo vit gjatë Javës së Objektivave  te Zhvillimit te Qëndrueshme dhe  paralelisht me hapjen e Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se ne Shtator.

Eventi u organizua në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë.