Sfidës së Kryedemokratit Lulzim Basha për të hapur krahun, ose të zbatojë planin e paraqitur nga opozita për reformën zgjedhore, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit.
“Reformën zgjedhore edhe pa ju do ta bëjmë. Po them ju, për ju që jeni këtu, se për ata që nuk janë këtu, që thonë hap krahun, unë nuk kam parë…Nuk kam parë, që t’i thotë një këmbësor që rri tek hija e fikut një makine hap krahun, cilin krah me? Ku? Ta kemi dhënë planin, zbatoje. Ou? Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë ti të drejtën që të më çosh mua planin, kush je ti një herë? Kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë bashkë me veten. Megjithatë, ata janë të mirëpritur në çdo moment, unë e kam thënë dhe e përsëris, unë ju kam të gjithëve njësoj. Juve këtu dhe ata atje. Për ata atje kam më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në një hall më të madh.”
“Te reforma zgjedhore dëgjoj këtë evropianin këtu që thotë do t’i bëjmë të gjitha përnjëherë. Si do t’i bëjmë të gjitha përnjëherë? Do të presim ne që të bini dakord ju me ne, që të ndryshojmë sistemin? Se doni të ndryshoni ju sistemin dhe duhet të ndryshojmë edhe ne sistemin? Se përndryshe nuk u bëka kjo punë dhe ndërkohë do të presë Shqipëria dhe do të presin Shqiptarët deri sa të merremi vesh ne, dhe derisa ju të jeni në gjendje që kur të vijnë ata të mos ikni me vrap nga komisioni, apo ata të vijnë në komision pa pritur që të ikë Damian Gjiknuri, për çfarë? Për tu ulur në tryezë me këshillin evropian? Ta harroni, ta harroni ju, ta harrojnë edhe ata.”
Kreu i ekzekutivit i bëri thirrje opozitës parlamentare të mbështesë reformën zgjedhore.
“Reformën zgjedhore, mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it ta bëjmë menjëherë, urgjent, ata që janë jashtë nuk e duan, ju që jeni brenda nuk keni pse të mos e doni”.